CEO, organi më i lartë botëror i olimpizmit, ka kërkuar mbajtjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme për të marrë vendimet konkrete dhe për të kaluar në zgjedhje. Dy zyrtarët, James Macleod dhe Jerome Poivey, kanë kërkuar që kjo Asamble duhet të organizohet nga ky komitet aktual, që është shfuqizuar dhe shkarkuar nga Bezhani, pasi ata vendosën të shkarkonin vetë atë, nga posti i presidentit të KOKSH.
Me anë të një letre të dërguar, CEO kërkon që përbërja e KOKSH të mbetet e pandryshuar dhe asnjë iniciativë personale apo e njëanshme, e marrë në kundërshtim me statutin e KOKSH, nuk duhet të njihet. Kjo situatë ka sjellë bllokimin e llogarive bankare, por edhe përkohësisht fondet e solidaritetit të olimpizmit ndërkombëtar ndaj KOKSH. Bezhani e sqaron në këtë mënyrë situatën qesharake në emisionin “Pressing”:
“Doja të sqaroja letrën e ardhur nga CEO. Jo më larg se sot, i kam nisur zyrtarëve të CEO-s një letër. Me keqardhje them që Jerome ka mbajtur krahun e Stavri Bellos, sekretarit të KOKSH, të cilin e ka edhe mik. Për sa i përket ndërkombëtarëve, jam takuar me ta në Zvicër.
Asnjë pikë e detyrave që lamë në atë mbledhje nuk u zbatua nga sekretari dhe ish-anëtarët e KOKSH. Imagjino, presidenti nuk kishte zyrë. Presidenti kërkonte që fondet e solidaritetit olimpik nuk duhet të shpërdorohen. Unë kam kërkuar transparencë të këtyre fondeve.
U bënë 1.5-2 vjet që këto fonde shpërndahen në mënyrë jo të rregullt dhe jo të ligjshme. Letra është ndërhyrje në punët e brendshëm të KOKSH. Nuk ka të drejtë CEO. Presidenti i KOKSH, në asnjë moment nuk ka shkelur statutin dhe rregulloren. Nëse mëgjeni një moment që është shkelur, automatikisht do largohesha. Deri në këto momente ka ardhur një letër nga dy zyrtare, thjesht i është dërguar për informacion Stavri Bellos“, thekson Bezhani. /abcnews.al