Beteja për numërimin kthehet në zvarritje, palët akuzojnë njëra-tjetrën

schedule14:14 - 26 Prill, 2021

schedule 14:14 - 26 Prill, 2021

Procesi i numërimit të votave të së dielës u ngadalësua derisa pothuajse ndaloi mesditën e së hënës, ndërsa kutitë e numëruara tregojnë se socialistët mund të jenë në gjendje të krijojnë qeveri të re, për të cilën, këta duket se kanë edhe mbështetjen në distancë të Tom Doshit të Partisë Socialdemokrate, i cili deklaroi në mëngjes tëheqjen nga parlamenti, por jo tërheqjen nga PSD.

Afro një e treta e kutive të votimit janë numëruar dhe votat e deritanishme nxjerrin fituese Partinë Socialiste me afro 49% të votave, ndërsa Partia Demokratike në opozitë duket se ka pësuar ngritje të konsiderueshme nga niveli i vitit 2017 dhe LSI ka humbur terren.

Surpriza e zgjedhjeve mund të vijë nga Partia Socialdemokrate, e cila sugjerohet se mund të ketë fituar një mandat në Shkodër dhe projekton një të dytë në Tiranë, duke u bërë ndoshta “kingmaker” për qeverinë e ardhshme.

Doshi, i cili është shpallur person i padëshirueshëm për “korrupsion madhor” nga Shtetet e Bashkuara, është shpallur publikisht nga kryeministri Edi Rama si person që nuk do të mbajë pozicion në qeverinë e tij të ardhshme nëse fiton mandatin e tretë. Dukshëm për të lehtësuar Ramën, Doshi shpalli dorëheqjen nga posti i deputetit nëse e fiton një të tillë, por gjithashtu deklaroi se partia që ai e mori nga Skënder Gjinushi, do të mbështesë socialistët dhe nuk do të bëjë marrëveshje me opozitën.

Beteja ndërkohë vijon për procesin e numërimit, ku votat e pavlefshme rezultojnë veçanërisht të larta.

Kryetari i Bashkisë Tiranë akuzoi opozitën se po bllokon procesin e numërimit të votave, ndërsa kryetari i demokratëve Lulzim Basha sugjeroi se votat e numëruara deri tani janë përzgjedhur nga bastionet e Partisë Socialiste dhe për rrjedhojë, nuk tregojnë tendencë. Të dyja palët u shprehën të bindura për fitoren.

Në zgjedhjet e njësisë 10 në Tiranë, ku votimi u krye me pajisje elektronike, Partia Socialiste rezultoi fituese me 50% të votave, ndërsa PD mori 38% dhe LSI 5%. Njësia dhjetë nuk është tregues për pjesën tjetër të qytetit për shkak se ka vetëm 23 mijë nga 550 mijë zgjedhës të qytetit Tiranë dhe 910 mijë zgjedhës të qarkut.

Në krahasim me katër vjet më parë, socialistët kanë pësuar rënie me 200 vota në këtë njësi ndërsa demokratët kanë fituar 1283 vota. Por partia tjetër në opozitë, LSI, ka humbur 716 vota ose më shumë se gjysmën e asaj që kishte më 2017.

Zgjedhjet në Shqipëri janë bllokuar shpesh në të shkuarën gjatë procesit të numërimit, kur palët vërejnë rezultat të ngushtë dhe fillojnë të luftojnë për vlefshmërinë e secilës votë. Në rastin më të keq, në vitin 2005, ose në zgjedhjet për pushtetin vendor më 2011, procesi i numërimit vijoi për disa javë./ BIRN

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!