Beteja Mexhiti–Grubi, në fakt është “luftë” Xhaferi–Ahmeti!?

schedule17:25 - 19 Shkurt, 2021

schedule 17:25 - 19 Shkurt, 2021

Prej muajsh në Bashkimin Demokratik për Integrim ka nisur një betejë e brendshme mes disave prej drejtuesve dhe “kokave” të kësaj partie, sidomos në Shkup.

Që kur u arrit koalicioni paszgjedhor mes LSDM’së dhe BDl’së, të paktën dy nga deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 15 korrikut u zotuan se nuk do ta votojnë qeverinë, si pasojë e pakënaqësisë në përzgjedhjen e emrave të ministrave. Izet Mexhiti, nënkryetar i BDl’së dhe ish kryetar komune në Çair i mbështetur edhe nga Kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, mbajtën pezull për disa ditë votimin e qeverisë së re, shkruan in7.

Ndasitë brenda strukturave vazhduan edhe në periudhën në vazhdim, ndërsa debati kulminoi pasi Izet Mexhiti si deputet dhe koordinator i grupit parlamentar të BDl’së në seancën për pyetje deputetësh, i parashtroi disa pyetje Artan Grubit si Ministër për Sistem Politik dhe Zëvendëskryeministër. Mexhiti i kërkonte llogari Grubit për disa çështje të ngelura pas nga kjo qeveri, ndërsa nga ana tjetër Grubi, nuk iu përgjigj duke ia bërë të ditur se përgjigjet do t’ia dërgojë me shkrim. Në fakt nga një pjesë e madhe ky raport mes krerëve të BDl’së cilësohej si lojë politike për ta “uzurpuar” hapësirën mediatike.

Burime të in7 brenda partisë së Ahmetit, këmbëngulin se kjo “luftë” politike mes Grubit dhe Mexhitit, në fakt është “luftë” mes dy themeluesve të këtij subjekti, Ali Ahmetii dhe Musa Xhaferi. Kjo sepse sipas burimit të njëjtë, Musa Xhaferi tenton të marrë drejtimin e partisë, por jo vetë në mënyrë direkte. Këtë dëshiron ta bëjë duke vënë në krye të saj “dikë nga grupi i tij”, person që i qëndron besnik. Kjo betejë indirekte u doli në pah pas zërave se Ahmeti do ta lëshojë kreun e partisë dhe do të pensionohet nga politika.

“Kjo luftë pritet që ditëve në vijim të shpëгthejë dhe dihet se kush qëndron prapa Izet Mexhitit. Le të dijë çdo simpatizues se Musa Xhaferi qëndron prapa Izet Mexhtit, jo për shkak parimeve, jo për shkak politikave të BDl-së, por për shkak të marrjes së partisë që ai të jetë shefi i BDl-së”, thotë për in7 burim i lartë në partinë e Ahmetit.

Rikujtojmë se Mexhiti është i afërt edhe me deputetin tjetër të BDl’së nga Saraji, Arben Ziberi, i cili gjithashtu mban anën e tij sa i përket kësaj çështjeje. Ndërkaq, shumica parlamentare duket të jetë shumë jostabile. Në disa raste ka dështuar mbajtja e seancave apo votimi i ligjeve për shkak të mungesës së kuorumit. Ka qenë opozita shqiptare, koalicioni mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativa “shpëtimtarët” e disa ligjeve të rëndësishme për vendin, siç ishte ai për regjistrim.

Ditëve të fundi po shtohen edhe zërat për një shumicë të re parlamentare, pa LSDM’në dhe BDl’në brenda saj. Sado që nga partitë në pushtet mohohet kjo mundësi, nuk mund të fshihet nga ana tjetër shqetësimi i tyre se pushteti mund t’iu ikë prej duarsh./in7.tv/