Gianluca Vialli ka përballuar një betejë të madhe me kancerin dhe për të është bërë edhe një dokumentar, që do të publikohet javën e ardhshme në “Netflix”. Revista “Oggi” ka nxjerrë pjesë të rrëfimit të ish-sulmuesit në dokumentarin “Një pyetje e thjeshtë”.
“Unë kam frikë të vdes. Nuk e di se çfarë do të ketë në anën tjetër kur të fiket drita, por në një farë mënyrë jam pak edhe i ekzaltuar nga mundësia për ta zbuluar. Megjithatë e kuptoj që koncepti i vdekjes shërben për të kuptuar dhe vlerësuar jetën.
Ankthi që nuk mund të çosh deri në fund të gjithë gjërat që dua të bëj, fakti që jam i ekzaltuar për të gjithë projektet që kam, është diçka për të cilën ndjehem me shumë fat.
Sëmundja nuk është ekskluzivisht vuajtje, ka momente shumë të bukura. Jeta – nuk e kam thënë unë por e mbështet plotësisht – është e përbërë në 20% nga ajo që të ndodh, por 80% nga mënyra se si ti reagon ndaj asaj që të ndodh.
Dhe sëmundja mund të të mësojë shumë gjëra se si je i ndërtuar si njeri, mund të jetë edhe një mundësi. Por nuk them deri në pikën sa t’i jem mirënjohës kancerit, jo”, thotë mes të tjerash në bashkëbisedim Viali. / abcnews.al