“Besoj te kualifikimi në Evropian”, De Biasi: Skuadra aktuale është më e mirë se ajo që iku në Francë

schedule21:56 - 9 Tetor, 2023

schedule 21:56 - 9 Tetor, 2023

Padyshim, tekniku italian, Gianni de Biasi do të mbahet mend gjatë në vendin tonë, teksa për herë të parë në Kampionatin Evropian të vitit 2016, 67-vjeçari kualifikoi “legjionarët” tanë për në fazën e grupeve të një kompeticioni madhor të futbollit dhe duket se historia kësaj radhe do të përsëritet me teknikun Sylvinho.

Për kualifikimin e Shqipërisë në Evropianin e vitit 2024 foli dhe tekniku italian, teksa për mediat tregoi se si e sheh Shqipërinë aktuale dhe ku ndryshonte ajo nga skuadra e cila shkroi historinë në Francë.

“Eksperienca ime me kombëtaren azere le të themi që po shkon mirë, po rritemi shumë. Është e qartë që kemi disa vështirësi strukturore të lidhura me një cilësi shumë të ulët futbollistësh në nivlet e larta. Kemi një kampionat me shumë skuadra, të mbushura me futbollistë të huaj, kjo qartësisht nuk ndihmon detyrën e një kombëtareje.

Por sa i përket rezultateve të kombëtares shqiptare, jam shumë i lumtur se përtej pasaportës që kam, mbetem i lidhur me një komb i cili më ka dhënë shumë dhe që mendoj se i kam dhënë gjithçka që kisha. Kemi arritur të bëjmë diçka të pabesueshme dhe kjo është gjëja që më mbush më shumë me krenari, se të shohësh nga ku u nisëm dhe si ia dolëm të arrinim një ëndërr rishte diçka entuziazmuese.

Unë besoj dhe shpresoj se kombëtarja shqiptare të jetë në Europianin e ardhshëm në Gjermani, në fakt nuk kam asnjë dyshim rreth kësaj gjëje. Ndeshja kyç do të jetë ajo ndaj Republikës Çeke se pastaj rrugëtimi është më i thjeshtë me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Mendoj se Shqipëria ka gjithçka që duhet për ta mbyllur edhe e para në grup.

Ndryshimi mes dy periudhave? Nuk është e lehtë të krahasosh dy realitete, skuadra ime që shkoi ne Evropian dhe kjo e sotmja. Kjo aktuale është më e pasur me lojtarë me cilësi, me lojtarë që kanë eksperienca ndërkombëtare të rëndësishme në klube të mëdha dhe mendoj se ky është aspekti kryesor që i jep cilësi kësaj skuadre. Skuadra jonë ishte me pak lojtarë që luanin në klube të mëdha. Në Serie A luante vetëm Cana kur mbërrita unë, më pas erdhën me radhë Hysaj, Berisha, Basha, por edhe pak të tjerë. Pjesa tjetër ishin lojtarë që luanin në kampionatin zviceran e jo më shumë”,- tregoi De Biasi në fjalët e tij. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!