Laçi do të duhet të kërkojë trajner të ri për sezonin e ardhshëm. Besnik Prenga pritet të kthehet në Kroaci, në përfundim të pjesëmarrjes në Ligën e Europës
Një trajner mjaft i mirë për një ekip vërtet të mirë. Ky do të ishte skenari ideal tek Laçi, por për fat të keq do të zgjasë vetëm për pak javë.
Besnik Prenga do të largohet nga skuadra kurbinase në përfundim të pjesëmarrjes në Ligën e Europës këtë verë, pra nuk pritet të jetë në stol gjatë Superligës apo Kupës së Shqipërisë, në edicionin e ri.
Kjo është marrëveshja e tij me presidentin Pashk Laska, i cili mbeti pa trajner në mbyllje të vitit të kaluar sportiv, kur ish-tekniku Gentian Mezani dha dorëheqjen.
Gjithsesi, Prenga dhe Laçi deri tani kanë qenë të suksesshëm në Europë, duke eleminuar në turin e parë kualifikues një kundërshtar të vlerësuar favorit, Anorthosisin e Famagustës nga Qipro.
Në turin e dytë, laçianët do të përballen ne Molden e Norvegjisë dhe duhet pritur deri pas ndeshjes së kthimit në 2 Gusht, se cila do të jetë e ardhmja e akordit mes presidentit dhe trajnerit.
Prenga ka drejtuar në Kroaci, ku doli kampion i këtij vendi në kategorinë U19 me Lokomotivën e Zagrebit, ndërsa tek të rriturit ka drejtuar Luçkon dhe Hrvatski Dragovoljacin, ndërsa ka luajtur atje për shumë vjet./abcnews.al