Drejtësia e re dhe mbështetja ndaj saj u diskutua këtë të mërkurë në emisionin “Bardh a Zi”. Deputeti i PS, Petro Koçi dhe politologu Ermal Hasimja thonë se SPAK dhe GJKKO kanë krijuar besueshmëri te publiku.
“Besoj se në përgjithësi drejtësia e re, SPAK dhe GJKKO, e ruajnë atë nivelin e besueshmërisë te publiku. Kjo është gjë e mirë sepse janë institucione që kanë nevojë edhe për besimin e publikut siç do institucion tjetër.“, u shpreh Koçi.
Hasimja, duke iu referuar një sondazhi të kryer së fundmi, tha se 70 për qind e qytetarëve shqiptarë kanë besim te SPAK. Por sipas Bislim Ahmetajt, drejtësia e re nuk mund të bëhet me njerëz që kanë qenë pjesë e sistemit të vjetër.
“Sipas sondazheve të fundit që janë bërë pak përpara arrestimit të Veliajt, besimi te SPAK është rritur, sidomos në 1 vit e gjysmë. Duhet parë se çfarë ndodh kur bëhen sondazhet e radhës që do marrim parasysh edhe reagimet pas arrestimit të Veliajt. Deri tani Rama ka mbajtur qëndrim të ftohtë ndaj kësaj, ndërkohë që në rastin e zotit Veliaj reagoi ndryshe pavarësisht se tani u tërhoq në pozicionin fillestar. Kështu që duhet të shohim se çfarë efekti jep kjo. Por mendoj që përtej efektit që vjen nga një lloj komandimi politik, që ka të bëjë me pjesën e militantëve, edhe brenda dy partive kryesore politike, besimi dhe vlerësimi për SPAK është pozitiv. Ka një mospërputhje aty midis asaj që mendon opinion publik në tërësi, mbi 70 përqid kanë vlerësim pozitiv për SPAK. Ndërkohë që nga ana tjetër nuk përputhet aq shumë me peshën politike që zë kjo parti. Gjë që do të thotë se ka edhe brenda këtyre partive njerëz që nuk bien dakord as me sulmet e vazhdueshme të Berishës që do të shkrijë SPAK dhe as me sulmet kontekstuale të Ramës pas rastit të Veliajt. Do të thotë që një lloj besimi në rritje.“, tha Hasimja.
Koçi, duke komentuar deklaratat e fundit të kryeministrit Edi Rama për drejtësinë pas arrestimit të Erion Veliajt, tha se mbështet SPAK, por shtoi se sistemi i ri i drejtësisë nuk është perfekt.
“Në çdo seancë parlamentare, kam qenë njeriu që e ka mbështetur pa asnjë lëkundje dhe s’ka lidhje parë për punën e Berishës. Po të vijmë te Berisha kam konsideratë tjetër. Them pse e hetojnë? Nuk them pse nuk e dënojnë se atë e di drejtësia, por them pse u hetonka për çështjen Partizani që është një hiç dhe nuk hetohet për gjëra më të rënda por prapë se prapë kam thënë se e mbështes SPAK dhe mandatet e prokurorive duhet të rinovohen. Edhe unë s’kam thënë ndonjëherë që këto dy institucione së bashku përbëjnë një makineri perfekte, që domethënë se ka disa gjëra që duhet të shikohen. Standardi i paraburgimit i çdo zyrtari të lartë ka rënë pak në sy sidomos te komuniteti i avokatëve, të cilët thonë se ka një lloj teprimi“, tha Koçi.
I pyetur nëse mund të shkrihet SPAK marrë shkas edhe nga sulmet e Sali Berishës, Hasimja tha se partitë politike kanë dhënë shenja se duan ta kontrollojnë këtë institucion.
“Para disa kohësh të dyja partitë u morën vesh për të bërë amnistinë për të nxjerrë të gjithë ata që kap SPAK, kështu që provën për këtë gjë e kanë dhënë. Po të kthehemi pak ditë pas dhe të dëgjoje Ramën dhe Berishën, gjëja që sheh në mënyrë faktike është që ka një vullnet për ta kontrolluar. Si e shkrive, si e kontrollove, si e menaxhove në momentin që politika fut hundën aty brenda nuk është më drejtësi e pavarur.“, shtoi Hasimja./abcnews.al

