Besëlidhja arriti një fitore të madhe në Kupën e Shqipërisë. Trajneri i ekipit lezhjan, Elvis Plori shfaqet i lumtur në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, aty ku flet edhe për objektivin për t’u ngjitur në Superiore.
“E interpretuam shumë mirë ndeshjen. Në pjesën e parë guxuam më shumë se Partizani. E dija që po të lija terren do e kishim të vështirë me sulmin e tyre. Nuk kishim çfarë të humbnim, kështu që e provuam. Është kënaqësi kjo fitore.
Hera e parë që na favorizoi terreni. Them se e merituam fitoren dhe treguam se kjo skuadër ka vlera. Kualifikimi? Është e vështirë, Partizani është skuadër e mirë. Jam optimist, skuadra ime nuk trembet dhe nuk ka presion psikologjik sipër.
Objektivi Superiore? Pikët i kemi lënë nga neglizhenca. Kjo është skuadra më e mirë që kam drejtuar në Kategorinë e Parë. Kam këmbëngulur te kjo skuadër që ia vlen dhe do të jemi seriozë deri në fund“, thekson trajneri shkodran.
Një koment për fitoren e madhe bëri edhe Arian Sheta. Mbrojtësi 38-vjeçar nuk e ka ndërmend të ndalet dhe komenton edhe objektivin për t’u ngjitur në Superiore.
“I lë të tjerët të vlerësojnë, unë bëj punën. Deri tani nuk ka bërë diferencë mosha. Nuk e kishim menduar kaq thellë fitoren, por e kishim vlerësuar ndeshjen. Ishte momenti i duhur për t’i dhënë një goditje Partizanit, mbase ngrihen më vonë, nuk e di.
Më vjen keq për Partizanin, elementët i ka, drejtuesit i ka të fuqishëm, nuk e di çfarë po ndodh aty. Objektivi ynë? E kemi për detyrë t’i vlerësojmë të gjithë ndeshjet, t’i marrim ndeshje pas ndeshje dhe të shohim se çfarë do të ndodhë“, përfundon Arian Sheta. /abcnews.al