Lëvizja e Legalitetit zgjodhi Lezhën për një aktivitet simbolik me mesazhin “Kthim te rrënjët”, duke e vendosur theksin tek identiteti kombëtar dhe roli i institucioneve në historinë e shtetit shqiptar.
Në fokus të takimit ishte 2 Marsi dhe trashëgimia politike që, sipas drejtuesve të kësaj lëvizjeje, lidhet me konsolidimin e shtetit dhe epokën e institucioneve.
Në fjalën e tij, Princ Leka II theksoi se pas shpalljes së pavarësisë, ndërtimi real i institucioneve u konkretizua gjatë periudhës së Mbretit Zog, duke e cilësuar atë si momentin e triumfit të legalitetit dhe funksionimit të shtetit.
Në këtë aktivitet u vlerësuan me dekorata mirënjohjeje familje dhe personalitete të Qarkut Lezhë, të cilat ndër vite kanë qenë pranë Lëvizjes së Legalitetit dhe familjes mbretërore.
Princ Leka shprehu mirënjohje për besnikërinë e tyre në kohë të mira dhe të vështira, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe respektit për ata që kontribuuan për pavarësinë e vendit.
Pas ceremonisë, pjesëmarrësit zhvilluan homazhe në memorialin e Gjergj Kastriotit dhe në Obeliskun në qendër të Lezhës, në kuadër të 582-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, një moment simbol i bashkimit kombëtar.
Aktiviteti u mbyll me thirrjen për të mos harruar figurat historike dhe për të ruajtur vlerat që, sipas organizatorëve, kanë mbajtur të bashkuar shtetin shqiptar ndër shekuj./abcnews.al


