Besa humb me Bylisin

schedule17:30 - 18 Prill, 2019

schedule 17:30 - 18 Prill, 2019

Besa humb 0-3 në tavolinë ndeshjen me Bylisin, pas dhunës së tifozëve në stadiumin e Kavajës, në Kategorinë e Parë. Kavajasit u dënuan me 8 ndeshje pa tifozë, ndërsa Komisioni i Disiplinës vendosi të mos e falte sulmuesin e Tiranës, Majkëll Ngo

Nuk mund t’ia hidhnin pa u dënuar dhe kështu ndodhi.

Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit e la pas periudhën kur bëri shkelje, sidomos në Superligë, dhe e rëndoi dorën në Kategorinë e Parë, duke ndëshkuar Besën.

Skuadra kavajase e humbi 0-3 në tavolinë ndeshjen e javës së kaluar në fushën e vet ndaj Bylisit, pas dhunës së rrezikshme të një pjese të tifozëve ndaj arbitrave.

Gjyqtari anësor u godit me copë betoni në kurriz dhe shpëtoi mirë pa iu rrezikuar jeta.

Po ashtu, Besa do të detyrohet të luajë pa spektatorë në fushën e saj në 8 ndeshjet e ardhshme.

Ky vendim i hap tashmë rrugën përfundimisht Bylisit për t’u kthyer në Superligë sezonin e ardhshëm, pasi skuadra ballshiote ka tani 6 pikë më shumë sesa kavajasit në renditjen e Grupit B të Kategorisë së Parë.

Vendimi tjetër i Disiplinës ishte hedhja poshtë e kërkesës për ulje dënimi të sulmuesit të Tiranës, Majkëll Ngo.

Anglezi ishte pezulluar 5 ndeshje po nga Disiplina pas konfliktit që pati me presidentin e Laçit, Pashk Laska, në përfundim të ndeshjes së Superligës në “Selman Stërmasi”.

Ngo preferoi t’i drejtohej Disiplinës dhe jo Apelit, ndoshta për arsye financiare.

Gjithsesi, ai pritet të jetë ndeshjen e kësaj jave të Tiranës ndaj Kukësit, pasi klubi bardheblu do ta shlyejë me gjobë pjesën e mbetur të ndëshkimit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!