Egan Bernal është fitues i Turit të Francës. Çiklisti nga Kolumbia u bë më i riu në 110 vjet që veshi Fanelën e Verdhë në Paris
Ky vit dhe ky fitues do të mbahen mend.
Nuk u vendos një rekord, por nuk është pak që Egan Bernal u bë çiklisti më i ri fitues i Turit të Francës në 110 vjet, pra në më shumë se një shekull.
Diçka që i shton lavdinë kolumbianit 22-vjeçar, që arriti atë që nuk e kishin bërë dot legjendat e pasluftës, si Zhak Ankëtil, Edi Merks, Bernar Hino, Greg Lemond apo Migel Indurain, të gjithë fitues nga 23 deri në 27 vjeç.
Vetëm yje, që mund të quhen të pashuar, si Henri Korne e Fransua Faber e veshën Fanelën e Verdhë në moshë më të re se Bernali.
Korne fitoi në 1904 kur ishte më pak se 20 vjeç, ndërsa Faber triumfoi në 1909, duke ia kaluar Bernalit vetëm për 9 ditë.
Kolumbiani po ashtu pati nderin dhe zotësinë që të bëhej i pari çiklist fitues i Turit nga Amerika e Jugut.
Etapa e fundit, e 21-ta, ishte ashtu si tradicionalisht, një shëtitje në rrugët dhe bulevardet e Parisit, shpërblimi i merituar pas rraskapitjes së skajshme në Pirenej e Alpet e Europës.
Në itineraret më të vështirë të çiklizmit në botë u vendos hierarkia e Turit, me rivalitetin më të madh në 116 vjet, pra për të gjitha kohët, pasi tre të parët, Egan Bernal, Xhereint Tomas dhe Steven Krajsvajk u ndanë nga vetëm 1’31”.
Xhiroja e lavdisë në Paris u krye me një ritëm të ngeshëm, madje Bernal ngriti një dolli me shampanjë me rivalin e tij francez, Alafilip.
Pritet të shihet nëse ky kolumbian me trup të imtë do të hapë një epokë të lavdishme, ashtu si Merksi, Induraini, Ankëtili apo Hino, që e fituan nga 5 herë Turin e Francës./ABC News Albania 24/7