Nga Ruth Ben-Ghiat “CNN”
Ai kishte një marrëdhënie të veçantë me presidentin rus Vladimir Putin. Ai e solli në qendër të skenës politike ekstremin e djathtë. Ai i akuzoi për “gjueti shtrigash” gazetarët dhe prokurorët që zbuluan korrupsionin e tij. Fajësoi emigrantët për kriminalitetin në vend, dhe i mbylli ata në qendrat e paraburgimit.
Dhe i dominoi kaq shumë mediat në vendin e tij, saqë një grua e intervistuar nga disa psikologë që studionin sëmundjen e demencës nuk mund të njihte më fytyrat e familjarëve te saj, por njihte ndërkohë fytyrën e tij, bashkë me atë të Jezu Krishtit dhe Papës.
Kur u rrëzua nga pushteti, pjesërisht pasi premtimet e tij për të bërë mrekullinë dhe ringjallur një ekonomi anemike, i rritën pritshmëritë në nivele të cilat nuk mund t’i përmbushte, gjysma e vendit psherëtiu e lehtësuar. Gjysma tjetër e forcoi besnikërinë ndaj tij. Dy vjet më vonë, ai u rizgjodh në detyrës.
Karriera politike e Silvio Berlusconit (kryeministër i Italisë në vitet 1994, 2001-2006 dhe 2008-2011), përmban shumë leksione mbi amerikanët që sot habiten me fundin e çuditshëm të presidencës së Donald Trumpit.
Në vend se ta pranojë që u mund nga Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit, Trump është përpjekur të hedhë dyshime mbi vlefshmërinë e procesit. Ashtu si Berlusconi, edhe ai luan rolin e viktimës, ndërsa lë të nënkuptohet se mund të garojë sërish në vitin 2024.
Në muajt dhe vitet e ardhshme, ne mund të presim që Trump ta prezantojë veten si një udhëheqës në hije, që po përpiqet të fitojë sërish atë që sipas tij i përkiste me të drejtë. Miliarderi Berlusconi ka krijuar një model që mund të ndiqet nga Trump përmes vënies në zbatim të një stili autokratik të qeverisjes brenda një demokracie nominale.
Besnikëria ndaj kreut të shtetit, dhe jo aftësia profesionale, ishte kualifikimi kryesor për të shërbyer në qeverinë e tij. Dhe e gjithë koha dhe burimet e partisë së tij, Forza Italia, u përdorën për të shmangur sulmet kundër tij, dhe për të njollosur armiqtë e tij.
Ai qëndroi aq gjatë në krye të qeverisë italiane, pavarësisht gjyqeve të shumta për korrupsion, derisa kriza e eurozonës dhe një mori skandalesh, çuan në dorëheqjen e tij në vitin 2011. Ende sot, politikani 84-vjeçar mbetet aktiv si kreu i Forza Italia.
Ndërsa pronësia e Berlusconit mbi rrjetet private televizive, i dha atij më shumë ndikim mbi audiencat sesa Trumpi, udhëheqësi italian ndante një interes të ngjashëm për të qëndruar në pushtet, dhe për të shmangur çfarëdolloj ndjekje penale të mundshme.
Ai nuk e ndaloi në asnjë moment fushatën politike, edhe kur ishte jashtë zyrës së kryeministrit, dhe baza e tij e mbështetësve (e cila përfshinte shumë gra, pavarësisht mizogjinisë së tij të hapur) nuk e braktisi kurrë atë, pavarësisht se me sa shumë akuza për korrupsion përballej ai.
Madje në fakt, çdo akuzë vetëm sa i i vërtetoi bazës së tij, se komplotet për ta shkatërruar atë ishin të vërteta. Ashtu si Berlusconi, edhe Trump nuk synoi në asnjë rast të ishte udhëheqësi i të gjithë kombit, por vetëm i atyre amerikanëve që e votonin dhe mbështesnin atë, pavarësisht se çfarë thotë apo bën ai.
Synimet e tij si president ishin konform manualit të ndonjë autoritari, dhe jo të një udhëheqësi demokratik.
Larg nga të qenit dembel, ai ka punuar shumë për gjërat që i interesojnë. Më kryesorja:ai po vijon ta përdorë postin publike për të fituar para për biznesin privat të familjes së tij, Organizatën Trump.
Gjithashtu, Turmp ka investuar shumë orë për ta kuruar kultin e tij të personalitetit, përmes mbajtjes së tubimeve popullore dhe postimeve të pareshtura në Twitter. Ai ka nxitur racizmin dhe ndjenjat përçarëse, të cilat e mbajnë ende të polarizuar kombin amerikan.
Trump nuk ka gjasa të heqë dorë nga të gjitha këto fitime të realizuara me vështirësi. Dhe një fushatë e mundshme në presidencialet e vitit 2024, do të thotë që ai nuk ka arsye pse ta bëjë diçka të tillë. Kjo mund të parandalojë cilindo tjetër nga Partia Republikane, që të bëhet një rival i mundshëm i tij në garën për nomimin presidencial.
Udhëheqësit e dorës së fortë si Berlusconi dhe Trump, nuk durojnë dot që të sfidohen. Kjo do të thotë se ai mund të ushqejë ende marrëzinë e tij, se është ende udhëheqësi i vërtetë i SHBA-së. Kjo është ajo çka ai nënkupton me deklaratën se rezultatet e zgjedhjeve, nuk duhet që të pranohen nga republikanët.
Për më tepër, ndërsa opozita e sheh atë si një humbës, ai ka të ngjarë ta shohë anën pozitive të zgjedhjeve të fundit. Këtë vit mori më shumë vota sesa në vitin 2016, dhe kjo pavarësisht nga keq-menaxhimi prej tij i pandemisë së koronavirusit. Një optimizëm dhe përpjekje e ngjashme për të mbajtur kontrollin e pushteti, nxiti “rikthimet” e shumta të Berlusconit gjatë 2 dekadave në politikën italiane.
Berlusconi na ofron gjithashtu një narrativë paralajmëruese, mbi rëndësinë që ka lufta kundër korrupsionit. Qeveria e qendrës së majtë, që erdhi në pushtet pas disfatës së tij në vitin 2006, nuk i përmbushi pritshmëritë e qytetarëve për reformat anti-korrupsion.
Kjo gjë e bëri atë të dukej jo vetëm joefektive, por shkaktoi një lloj zemërim populist ndaj politikanëve të establishmentit. Në vitin 2007, aktori i humorit Beppe Grillo, më vonë themeluesi i Partisë Pesë Yjet që bashkë-qeveris aktualisht Italinë, organizoi protesta në Bolonja dhe 225 qytete të tjera italiane.
Të tjerët ndjenin se Berlusconi i kishte bërë italianët të pandjeshëm ndaj efekteve gërryese të sjelljes kriminale. Siç tha në një rast regjisori i njohur Nanni Moretti, “varësia” e italianëve ndaj Berlusconit kishte çuar në kolapsin e “etikën publike”, dhe “ne sot ne i konsiderojmë normale, gjëra që nuk janë aspak të tilla”.
Amerikanët kanë qenë ngjashëm të ndërvarur ndaj Trumpi, duke lejuar që çdo deklaratë dhe veprim i tij, të dominojë burimet e tyre mediatike.
Ndërsa presidenti në ikje ka të ngjarë të mbetet ylli i spektaklit të tij të vetë-krijuar si një kandidat për presidencialet e vitit 2024, administrata e Joe Biden-Kamala Harris, ka shansin që të mbrojë me forcë parimet e transparencës dhe llogaridhënies në qeveri, të cilat Trump dhe aleatët e tij i shkelën në
një mënyrë shumë arrogante.
Kjo do t’i dërgonte një mesazh të qartë jo vetëm Trumpit, por edhe politikanëve të tjerë amerikanë me mendësi autoritare, që presin aty në anë për t’u ngritur më majë, bazuar pikërisht në trashëgiminë e presidentit në largim. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al