Për Europën, era duket se po fryn nga Kina. Kancelari gjerman Friedrich Merz u bë lideri i radhës nga kontinenti i vjetër që vizitoi Pekinin, ku u takua me presidentin kinez Xi Jinping.
Vizita e liderit të ekonomisë më të madhe të eurozonës në Kinë vjen në një kohë tensionesh globale dhe kur marrëdhëniet tregtare dhe diplomatike me aleatët tradicionalë përtej oqeanit janë në pikën më të dobët.
Merz dhe Xi shprehën synimin e tyre për të thelluar lidhjet ekonomike mes dy vendeve dhe theksuan se Berlini dhe Pekini duhet të jenë partnerë të besueshëm që mbështesin njëri tjetrin dhe mbrojnë tregtinë e lirë.
“Si kinezët ashtu edhe gjermanët janë të vetëdijshëm se shkëmbimi ynë ekonomik kontribuon ndjeshëm në prosperitetin e të dy vendeve. Fakti që dy nga tre ekonomitë më të mëdha të botës janë të angazhuara në tregti me njëra-tjetrën gjeneron një vrull të madh, si për ne ashtu edhe përtej”, shprehet Merz.
Xi vlerësoi përpjekjet e Europës për t’u mbështetur në forcat e veta dhe shprehu synimun që kontinenti i vjetër dhe vendi aziatik të punojnë në të njëjtin drejtim për të mbështetur partneritetin e tyre strategjik.
“Sa më e trazuar dhe komplekse bëhet bota, aq më shumë Kina dhe Gjermania duhet të forcojnë komunikimin strategjik për të nxitur bashkëpunimin në marrëdhëniet Kinë-Evropë dhe për të kontribuar në stabilitetin e përgjithshëm”, tha ai.
Pas takimit Merz tha se Kina do të porosisë deri në 120 avionë shtesë nga gjigandi evropian i aviacionit Airbus, ndërsa bisedimet nuk mbetën vetëm në rrafshin ekonomik.
Kancelari dhe Xi diskutuan edhe për Ukrainën dhe Merz i kërkoi Kinës të përdorë ndikimin e saj në Kremlin për t’i dhënë fund luftës.


