Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi me gazetarët në selinë e PD, tregoi arsyet se përse Kuvendi i 30 prillit nuk mund të shtyhej, pavarësisht kërkesave të bëra nga disa deputetë të PD.
Ai tha se 6 marsi diktoi se kush është shumica në PD, duke shtuar se pikërisht kjo shumicë nuk ishte dakord që të shtyhej Kuvendi.
“Sot për çdo kundërshtar dhe çdo njeri, 6 marsi përcaktoi shumicën. Jo me sondazh por “dal vivo”. Unë kam bindjen se në tërësi deputetët e PD do i bashkohen shumicës, unë nuk them se çdo njëri prej tyre, por në tërësi shpreh bindjen më të madhe se pas Kuvendit edhe shumica prej tyre do t’i bashkohen PD-së. Në këtë aspekt Kuvendi ishte Kuvendi i bashkimit të PD. Ata që pretendojnë po pse nuk u shty Kuvendi, nuk pranonte shumica ta shtynte, edhe pakica nuk pranonte ta shtynte, ajo u bashkua, ajo votoi. Ajo përbën një korpus prej 40 mijë anëtarësh që votojnë”, tha Berisha.
Gjithashtu ish-kreu i qeverisë bëri dhe një krahasim mes Kuvendit të PD dhe Kongresit të PS, duke thënë se ishin si nata me ditën.
Sipas Berishës në Kongresin e PS flitej për drogë, ndërsa në Kuvendin e PD, për lirinë dhe vlerat.
“Në një hark të shkurtër kohor shoqëria shqiptare pa dy Kuvende, ndoqi dhe pa Kuvendin e partisë qeverisëse, e kam denoncuar para jush ai ngjiste më shumë se çdo gjë tjetër si Kuvend i Cosa Nostras, në të cilin ju dhe mbarë shqiptarët konstatuat apo dëgjuat si program, si pikë kryesore, si çështje themelore të Shqipërisë jo varfërinë dhe mjerimin, jo korrupsionin dhe krimin, jo rrogat e ulëta, por vetëm drogën, drogën dhe vetëm drogën si kurorë e narkoshtetit. T’ia kishte shkruar presidenti i Cosa Nostras atë fjalim nuk mund ta shkruante ndryshe. Veç kësaj çështja e dytë madhore e Kongresit të partisë siçiliste ishin hanxharët, shpalli SPAK-un si hanxhar të partisë. Ju garantoj se një trajtim të tillë të prokurorisë nuk ja bënte as kryexhelati Enver Hoxha, kurse në Kuvendin e demokratëve ju patët rastin të dëgjonit të flitet për lirinë, për votën e lirë, patët rastin të njihnit me shtyllat kryesore të programit të kësaj partie për t’i dhënë fund narkoshtetit në Shqipëri, program i bazuar tek forcat konservatore”, u shpreh Berisha.
/Abcnews.al/