Dy ditë para referendumit për emrin në Maqedoni ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha u bën thirrje shqiptarëve të vendit fqinj për votën pro në këtë referendum. Sipas Berishës, kjo votë është shumë e rëndësishme për të ardhmen europiane të Maqedonisë.
Ish-kryeministri Sali Berisha përmes një statusi në rrejtin social facebook i ka drejtuar një thirrje qytetarëve shqiptarë në Maqedoni, të dalin masivisht në referendumin e së djelës, që do të përcaktojë fatin e emrit të vendit fqinj, në atë që konsideron ngjarje historike për shtetin maqedonas.
“Të dielën qytetarët e Maqedonisë së Veriut do votojnë në një referendum popullor për emrin e ri të vendit të tyre.
Me këtë rast u bëj thirrje qytetarëve me origjinë shqiptare të Maqedonisë së Veriut, të marrin pjesë dhe të votojnë PRO në këtë referendum, si një shans i vërtetë historik për të firmosur me votën e tyre për të ardhmen më të shkëlqyer për veten, fëmijët dhe të vendit të tyre”.
Është kjo votë ajo që për Sali Berishën i hap rrugën Maqedonisë për antarësim në NATO dhe Bashkimin Europian. Referendumi i së dielës për cështjen e emrit vjen pas marrëveshjes së arritur mes Shkupit dhe Athinës pas disa vite përplasjesh për çështjen. /abcnews.al