Berisha: Të bashkohemi për të rrëzuar regjimin, duhet të jemi një front

schedule18:39 - 22 Qershor, 2022

schedule 18:39 - 22 Qershor, 2022

“Të bashkohemi të gjithë në një front.” Kështu u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha, i rikthyer në krye të Partisë Demokratike, gjatë një takimi me shoqërinë civile.

Berisha u ndal ndër të tjera, sipas tij, te kushtet e vështira ekonomike në të cilat ndodhet vendi. Ish-kryeministri tha se mënyra e vetme për t’u përballur me regjimin, siç e quan ai qeverinë, është bashkimi në një front i të gjitha partive opozitare. Berisha shtoi gjithashtu që PD është përgjegjëse, pasi gjatë këtyre viteve pranoi politikat anti-kombëtare.

“Sot në rast se ne studiojmë me vëmendje nismat dhe ligjet e qeverisë, ato kanë një synim të vetëm, largimin e shqiptarëve nga Shqipëria. Kishte deklaruar se deri në vitin 2029 nuk do të ketë taksa për profesionet e lira. Kthehet tani me një paketë fiskale ku i çon ata në falimentim.

Kjo është një politikë denatyruese për shqiptarët. Në Shqipëri nuk bëhen zgjedhje. Çfarë duhet të bëjmë? Sikundër ju i kam shtruar vetes këtë pyetje mijëra herë. Arrijmë vetëm në një përgjigje: të bashkohemi në një front të përbashkët për të shpëtuar Shqipërinë. Të bashkohemi dhe të hidhemi në veprime. PD është përgjegjëse në një shkallë shumë të madhe për këtë rrokullisje. Me ineaktivitetin e saj ajo nuk arriti kurrë të shndërrohet në një forcë të madhe besimi. Në këto vite ajo nuk mbrojti interesin kombëtar. Ajo pranoi politika anti-kombëtare.

Sot në Ballkan kryeqytetet më me probleme janë Tirana dhe Prishtina. Tirana bëri gjithçka që ta paraqes Prishtinën si delen e zezë të Ballkanit. Dhe këtu u bihet borive. Ndaj këtij regjimi duhet një front. Ky regjim është i pasur, para të pafundme. Secili prej jush di raste ku eksponentë të tij kalojnë nga një zyrë në tjetrën me qese me para duke blerë njerëz. Regjimi nuk respekton asnjë ligj. Në këtë rrugë për tu përballur me regjimin u gjej bashkimin e të gjitha forcave opozitare dhe hartimin e një harte veprimesh që kam bindjen më të thellë do ta fitojmë betejën”, tha Berisha. g.v/abcnews.al