Berisha takon partitë shqiptare të Malit të Zi: Kanë merita të veçanta

schedule17:29 - 23 Mars, 2022

schedule 17:29 - 23 Mars, 2022

Ish Kryeministri Sali Berisha ka takuar ditën e sotme përfaqësues të forcave politike shqiptare në Malin e Zi, Mehmet Zenka-Kryetar i Unionit Demokratik në Mal të Zi; Saubih Mehmeti-Kryetar i Lidhjes Demokratike ne Mal të Zi me bashkëpunëtorët e tyre.

Përmes një njoftimi për shtyp, Komisioni i Rithemelimit, bën me dije se “ata kanë falenderuar Berishën për qëndrimet që ka mbajtur Partia Demokratike dhe Berisha në afirmimin e të drejtave njerëzore etnike të shqiptarëve në Malin e Zi”.

“Berisha theksoi në takim se, pakica shqiptare e Malit të Zi, ka luajtur rol shumë të rëndësishëm për stabilitetin e Malit të Zi dhe rajonit në tërësi, mbasi pavarësia e Malit të Zi, në të cilën ju patët një rol thelbësor, ishte një arritje e rëndësishme jo vetëm për këtë vend por për të gjithë rajonin. Ato, kanë qenë dhe janë një faktor i rëndësishëm i marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve tona.

Forcat politike kombëtare shqiptare në Mal të Zi kanë merita të veçanta në të gjitha arritjet e shqiptarëve në këtë Republikë. Mbrojtja e interesave të këtyre të fundit është shoqëruar me garanci më të mëdha për liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve.

Ndaj dhe unë, u drejtohem me thirrjen më miqësore qytetarëve shqiptarë në Malin e Zi që të vijnë për kandidatët dhe partitë shqiptare, si kushti më i sigurt për garantimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të lirive dhe të drejtave njerëzore dhe etnike”, thuhet në njoftimin e komisionit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!