Berisha protagonist për Akhmat: Fazliu, Hamdiu dhe Balaj gjejnë golin në Zvicër

schedule20:59 - 26 Qershor, 2020

schedule 20:59 - 26 Qershor, 2020

Akhmat Grozny nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në sfidën shtëpiake kundër Sochi. Odise Roshi dhe Bernard Berisha e nisën takimin si titullarë dhe lojtari dardan ishte protagonist në golin e skuadrës çeçene.

28-vjeçari nga Peja, veproi bukur në krahun e majtë në minutën e 33-të, dhuroi një asist për Glushakov dhe “veterani” rus i mesfushës dërgoi topin në rrjetë. Miqtë barazuan rezultatin në minutat shtesë të pjesës së parë dhe ndeshja nuk prodhoi më gola.

Akhmat vazhdon të luftojë për të qëndruar në elitën e futbollit rus dhe për momentin qëndron një pikë sipër zonës së ftohtë. Vijojnë golat e lojtarëve shqiptarë në Challenge League të Zvicrës. Valon Fazliu shënoi dy gola për Wil dhe ndihmoi skuadrën e tij të fitonte në shtëpi 3-1 kundër Winterthur.

Mesfushori ofensiv nga Kosova, realizoi dy herë në pjesën e parë. 24-vjeçari është golashënuesi më i mirë i skuadrës së tij dhe është ngjitur në kuotën e 9 golave në divizionin e dytë të futbollit helvet. Golin e miqve e shënoi Valon Hamdiu.

Qendërmbrojtësi 22-vjeçar, i cili është pjesë e Kosovës U-21, shfrytëzoi një asist të Granit Lekajt dhe shkurtoi rezultatin katër minuta përpara fundit të ndeshjes. Festë edhe për Liridon Balajn e Aarau. Mesfushori 20-vjeçar (pjesë e Kosovës U-19), gjeti golin në fitoren 1-3 që arriti skuadra e tij në fushën e Chiasso. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!