“Berisha po mban peng skenën politike”, Mërtiri: Vendi nuk ka nevojë për opozitën e një njeriu

schedule18:31 - 8 Shkurt, 2023

schedule 18:31 - 8 Shkurt, 2023

Në një intervistë që dha për Abc News, analisti i njohur Ergys Mërtiri tha se Berisha është në luftë për mbijetesë. Ai theksoi se për këtë atij i duhet një grusht i vogël njerëzish, që mund të besojnë “përrallat” e vazhdueshme të tij, pasi ndihet i kërcënuar për të dalë nga politika.

“Atij nuk i duhet që të fitojë sepse nuk ka luftë me Ramën por për mbijetesë. Për këtë i duhet një grusht i vogël. Ai është i kërcënuar për të dalë nga politika. Me këto mjete, Rama as nuk guduliset dhe jo më të rrëzohet. Ai po hyn në zgjedhje për të mundur Alibashën por luftën e ka me SHBA.“, tha ai.

Ai shtoi se Berisha kërkon që të mbajë peng PD-në në mënyrë që t’u imponohet ndërkombëtarëve. Mes të tjerash, analisti theksoi se vendi ka nevojë për një opozitë të vërtetë dhe kjo mund të arrihet vetëm me largimin e Berishës pasi sipas tij, është ai që mban peng skenën politike.

“Me këto kushte, e djathta rrezikon të zhduket dhe të kthehet në një bunker. Në një mënyrë apo në një tjetër do të hyjë në zgjedhje me Partinë e Lirisë. Do të marrë vota me Ilir Metën dhe do të thotë se unë jam legjitim. E gjithë çështja është të prodhojë këtë konflikt brenda PD dhe të mbajë peng opozitën si një alternativë me shpresën se do t’u imponohet faktorëve ndërkombëtarë.

Ai do të imponohet për t’u çliruar nga ekzekutimi që i kanë bërë të huajt. Shqiptarët nuk kanë hallet e një personi të vetëm. Vendi ka nevojë për një opozitë, dhe jo për një që ka hallet e një njeriu. Njerëzit nuk po rreshtohen krah opozitës për të rrëzuar qeverinë. Vendi është pa opozitë.

Ajo që e mban peng të gjithë skenën politike shqiptare është Berisha dhe në momentin që çlirohet nga kjo, do të krijohen realitete të tjera politike. “, tha ai./abcnews.al