Partia Demokratike në datë 13 Qershor do të zgjedhë kryetarin e ri, ndërsa në garë përballë Lulzim Bashës janë tre kandidatë; Fatbardh Kadilli, Agron Shehaj dhe Edith Harxhi, por cili është qëndrimi i tyre për shpalljen “non grata” të Sali Berishës nga SHBA për korrupsion.
Edith Harxhi e cilësoi të trishtë ditën kur SHBA njoftoi se ka shpallur “non grata” ish-kryeministrin Berisha. Ajo tha se kjo ishte një shkundje e fortë për PD-në. “Ka qenë një ngjarje e trishtë, PD ka marrë një shkundje të fortë, se Berisha mbetet një personalitet me kontribut të padiskutueshëm në PD dhe demokraci, unë jam shokuar nga vendimi” tha ajo në “Open”.
Kandidati tjetër Agron Shehaj këmbënguli që të mos japë asnjë mendim për vendimin e SHBA-së për të shpallur “non grata” Sali Berishën. “Këtu nuk është çështje besimi, unë qëndrimin tim e kam thënë. Berisha është lideri historik i PD-së, përsa i takon shpalljes “non grata” nga DASH, nuk kam ndërmend të jap një mendim. Qëndrimi i PD-së? Nuk kam një koment” tha ai.
Fatbardh Kadilli kërkoi që Berisha të vazhdojë betejën nën emrin e vet, pa përfshirë PD. “Berisha i ka të gjitha mundësitë, synimet dhe etikën të mbrohet dhe ta sqarojë këtë çeshtje privatisht. Kam bindjen se ai do e shmangë PD nga përfshirja në këtë çështje të së djeshmes duke e marrë nën emrin e vet betejën finale për emrin dhe historinë” tha Kadilli pak ditë më parë në ABC.
Ndërkohë që vetë Lulzim Basha pak ditë më parë i kërkoi SHBA-së të nxjerrë provat mbi të cilat shpalli Sali Berishën “non grata”. “U njoha me keqardhje me vendimin e Sekretarit të Shtetit për ish Presidentin dhe ish kryeministrin Sali Berisha. Duke nënvizuar qëndrimin e z. Berisha, i cili pasi shpreh keqardhjen për vendimin dhe e konsideron atë pa asnjë bazë konkrete, bëj thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim” theksonte Basha në datë 19 Maj./ db/ Abcnews.al