Berisha “non grata” dhe takimi me Kim, Shehaj: Basha kontraktoi njerëz për komentet negative kundër SHBA

schedule18:19 - 8 Qershor, 2021

schedule 18:19 - 8 Qershor, 2021

Në Shqipëri, kandidati për kreun e Partisë Demokratike Agron Shehaj thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se kjo parti bëri disa gabime në vitet e fundit por dhe gjatë fushatës, dhe se ajo duhet të fitojë besimin e shqiptarëve. Zoti Shehaj thotë se kryetari aktual po bën lojëra fjalësh me qëndrimet e tij ndaj rezultatit të zgjedhjeve të 25 Prillit. Lidhur me komentet kritike që pasuan postimin e tij për takimin me ambasadoren amerikane Yuri Kim, ai shprehet se ato janë bërë nga njerëz jashtë PD-së të kontraktuar nga kryetari Basha

Zëri i Amerikës: Zoti Shehaj, po e nis ashtu si dhe me kandidatët e tjerë në garë, me një pyetje rreth asaj se çfarë ju ofroni, çfarë ju i propozoni demokratëve për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike?

Agron Shehaj: Unë mendoj se demokratët duan të fitojnë zgjedhjet e ardhshme. Dhe për të fituar ne duhet të kemi besimin e shqiptarëve, duhet të fitojmë besimin e shqiptarëve. Zgjedhjet fitohen vetëm nëpërmjet votës së shqiptarëve. Për të fituar zgjedhjet, Partia Demokratike duhet të jetë më e fortë dhe më e besueshme. Duhet të ketë rreth vetes, njerëzit më të aftë dhe më të zotë që ka Shqipëria, me të cilët të kemi mundësi të ndryshojmë Shqipërinë dhe ta bëjmë atë një vend më të mirë për të gjithë shqiptarët

Zëri i Amerikës: Sipas jush cilat kanë qenë gabimet më të mëdha që ka bërë PD-ja, që e çuan dhe në humbjen e tretë radhazi në zgjedhjet parlamentare?

Agron Shehaj: Ku kanë qenë gabimet? Në radhë të parë duhet të biem dakort me rezultatin. Rezultati është që, fatkeqësisht, pavarësisht të gjitha problemeve që ka patur, shqiptarët nuk besuan se ne do të mund ta qeverisnim Shqipërinë më mirë se Edi Rama. Pse pati mungesë së besimit? Sepse mesa duket bëmë disa gabime në opozitë, por dhe gjatë fushatës elektorale. Por unë do të përqëndrohesha kryesisht gjatë opozitës. Sigurisht vendimi për të dalë nga parlamenti, për t’i dhënë mundësinë Edi Ramës për të ndryshuar sistemin zgjedhor, ka ndikuar shumë në zgjedhjet e 25 Prillit. Gjithashtu mospjesmarrja në zgjedhjet lokale ka bërë që në kuti të mungonin me dhjetra mijëra vota të demokratëve. Janë të gjitha vendime që nuk kanë ndikuar për mirë në zgjedhjet e 25 Prillit.

Zëri i Amerikës: Megjithatë duket sikur ka një qasje të kundërt mes jush, përfshirë dhe kolegët tuaj që janë në garë duke sfiduar zotin Basha, dhe vetë zotit Basha nga ana tjetër, mbi rezultatin e zgjedhjeve të 25 Prillit. Ndërsa ju pranoni se PD-ja ka humbur në këto zgjedhje, zoti Basha, gati gati është paraqitur si me një sfidë ndaj jush duke thënë se, që ta pranosh se Edi Rama ka fituar, atëherë kjo do të konsiderohej një dorëzim…

Agron Shehaj: Jemi në rrafshin e lojërave të fjalëve. E vërteta është që demokratët nuk janë në pushtet. Pastaj, kushdo mund ta quajë humbje, dikush tjetër mund ta quajë fitore. Por në thelb ne jemi në opozitë, demokratët janë në opozitë.

Nuk ka asnjë rëndësi se çfarë emri do t’i japim. Kush nuk do të mbajë përgjegjësi, do thotë që e vetmja arsye që humbëm është se pati blerje masive të votave, përdorim të Shtetit. Janë gjëra absolutisht të vërteta, që kanë ndodhur, të cilat duhet t’i denoncojmë dhe drejtësia duhet të hetojë dhe të dënojë. Por ne nuk mund të bëjmë sikur nuk i shohim të vërtetat e tjera që gjithashtu kanë ndikuar në rezultatin e 25 Prillit, që janë pikërisht ato që përmenda, gabimet që kemi bërë në opozitë. Dhe një fushatë elektorale që duhet të ishte më shumë e përqëndruar mbi problemin kryesor që kanë shqiptarët, që ka Shqipëria, e që nuk është vetëm i kësaj qeverie, por i Shqipërisë në 30 vitet e fundit, që është korrupsioni, të cilit kjo qeveri i ka shtuar dhe një problem tjetër, kapja e ekonomisë nga një grusht njerëzish që ne i quajmë oligarkë.

Unë mendoj se fushata elektorale, duhet të kishte si tema kryesore këto dy çështje. Fatkeqësisht kjo nuk u bë, nuk ndodhi. U fol për çështje të tjera që mesa duket nuk e bindën elektoratin ashtu si ne prisnim.

Zëri i Amerikës: Çfarë ndikimi mendoni ju se do të ketë mbi Partinë Demokratike, vendimi i Departamentit amerikan të Shtetit për të mos lejuar hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara për zotin Berisha, qoftë dhe për faktin se ai është një njeri më ndikim në parti dhe do të jetë sërish deputet në parlamentin e ri?

Agron Shehaj: Padyshim që ky vendim ka qenë një goditje e rëndë për PD-në, për zotin Berisha sigurisht e për çdo demokrat. Unë e kam shprehur dhe herë tjetër mendimin tim për kontributin e pamohueshm të zotit Berisha jo vetëm për PD-në por për Shqipërinë në këto 30 vjet. Nga ana tjetër ky është një vendim politik i SHBA-ve.

Unë vendosa të kandidoj për kryetar të PD-së sepse mendoj që ne duhet të forcojmë PD-në e të punojmë për të ardhmen e PD-së dhe për të ardhmen e Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Pas publikimit tuaj në Facebook mbi takimin me ambasadoren amerikane pati një valë kritikash në komentet mbi këtë takim. A i druheni një fryme antiamerikane në PD, pas vendimit ndaj zoti Berisha?

Agron Shehaj: Eshtë e sigurtë që siç thashë, vendimi i Departamentit amerikan të Shtetit ka lënduar shumë demokratë. Dhe isha i vetdijshëm se bërja publike e atij takimi, do të kishte reagime. Isha i vetdijshëm për këtë. Por vendimet politike që unë marr, nuk shohin vetëm efektet e menjëhershme, pavarësisht se ato mund të jenë negative për momentin. Por unë jam i bindur, se raporti i PD-së me SHBA-të duhet të jetë sa më i ngushtë. E ardhmja e PD-së nuk mund të jetë veçse në krah të SHBA-ve.

Nuk besoj se në PD ka rrezik të ketë një frymë antiamerikane. Kur u shpreha para disa ditësh në një intervistë, kam folur për një grup individësh që nuk janë pjesë e PD-së, janë të jashtëm dhe janë të kontraktuar nga lideri i PD-së. Po flasim për individë jashtë PD-së. Dhe nuk kam folur kurrë që brenda PD-së ka ndonjë rrezik të ndonjë fryme antiamerikane

Zëri i Amerikës: Ju vini nga bota e biznesit. Jeni një sipërmarrës i suksesshëm. Hytë në politikën aktive në 2017, me propozim direkt të zotit Basha. Ashtu si dhe në biznes, edhe në politikë ka peshë eksperienca. Fakti që jeni relativisht “i ri” në strukturat e PD-së, a ju ka penguar gjatë këtyre ditëve të fushatës?

Agron Shehaj: Jo, absolutisht. Unë këtë e shoh në favorin tim, faktin që jam ri në politikë, e deri diku dhe në moshë. Në asnjë mënyrë nuk më ka penguar. Ajo që shoh unë është se demokratët duan ndryshim, për një arsye të thjeshtë, se kemi vite që nuk fitojmë. Demokratët duan të fitojnë dhe fitorja nuk mund të vijë veçse përmes ndryshimit. Shumë vëzhgues të politikës mund të mendojnë se unë nuk kam eksperiencën e duhur në politikë. Por unë mendoj se demokratëve dhe shqiptarëve, nuk është e thënë se u duhen politikanë me eksperiencë, se kjo do të thotë që kanë shumë vite në politikë. Unë mendoj se duhen politikanë të rinj, që kanë treguar se kanë përvojë dhe në fusha të tjera, që janë të papërfolur dhe që ngjallin besim të njerëzit.

Zëri i Amerikës: Në fillim të kësaj gare, ju të gjithë, edhe kandidatët e tjerë, folët për kushte të pabarabarta. Kjo pabarazi mund të ndikojë në rezultatin përfundimtar sipas jush?

Agron Shehaj: Që kushtet janë të pabarabarta kjo është e qartë. E dinë të gjithë. Edhe afatet e kanë thelluar pabarazinë në këtë garë. Unë isha i vetdijshëm kur u futa në garë që këto do ishin kushtet, kështu që nuk mund të ankohem sot. Pork y është një fakt. A kanë ndikim? Sigurisht që kanë ndikim. Por sërish unë mendoj që nëse demokratët do të vendosin për ndryshimin, për një ndryshim të lidershipit, të mënyrës se si është drejtuar PD, si kemi dalë ne përbëllë votuesve, jam i bindur se pavarësisht pabarazisë, ky ndryshim mund të ndodhë./ VOA