Berisha: Nesër ne dorëzojmë në parlament ligjin e lustracionit dhe dekomunistizimit

schedule20:05 - 27 Shtator, 2022

schedule 20:05 - 27 Shtator, 2022

Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha ka gati draftin për listracionin. Ish-kryeministri deklaroi sot gjatë një takimi me qytetarët në Gramsh se nesër do të depozitojnë në Kuvend ligjin për lustracionin dhe dekomunistizimin.

“Jemi në prag primareve.  Shfrytëzoj rastin që të ju bëj thirrje ju, të bëni gjithçka që ky proces të jetë më seriozi. Me futjen e primareve ne i japim një frymëmarrje demokracisë shqiptare. Nëse PS-ja e hoqi votimin brenda saj. E morët vesh që në PS nuk votohet më për zgjedhjet e kryetarëve të degëve, gjithçka përcaktohet si në kohën e Enver Hoxhës nga kryesia e partisë dhe sekretari i parë, kryetari Edi Rama.

Ua kam thënë atyre në parlament që kështu siç jeni, u garantoj se do të ju nxjerr jashtë ligjit. Në ç’kuptim. Në Shqipëri nuk lejohen parti ku nuk votohet. E ka Gjermania dhe e ka vendosur këtë ligj, që të mos ktheheshin ato parti që i bënë gjëmën asaj dhe siç na e bënë ne.

Ju dëgjova për të gjitha vërejtjet e drejta dhe do të them edhe një gjë, meqenëse keni qenë dhe në Itali. Lufta kundër komunizmit në shkallë botërore nuk u zhvillua. Në ç’kuptim, komunizmi ka pasur nga 100 deri në 200 milionë viktima. Nazizmi me luftë ka pasur 20-30 mln viktima.

Për nazizmin u bë një gjyq në Nuremberg, por në çdo skaj të asaj toke viheshin tabela ‘kurrë më’, pikërisht për tu ndarë nga nazizmi. Kjo nuk ndodhi me komunizmin.

Ne vendosëm ligjin, e luftës kundër gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit gjatë regjimit komunist. Alternanca e pushtetit e bllokoi veprimin e tij.

Nesër ne dorëzojmë në parlament ligjin e lustracionit dhe dekomunistizimit përsëri. E miratuam në 2008 ligjin e lustracionit, e rrëzoi Gjykata Kushtetuese në mënyrë të padrejtë.

Ne përsëri i qëndrojmë qëndrimit tonë dhe do ta dorëzojmë në parlament”, deklaroi Berisha.

Ndërkohë, demokratët e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj dhe socialistët bashkuan votat dhe miratuan në Komisionin e Ligjeve hapjen e plotë të dosjeve të Sigurimit të Shtetit disa ditë më parë. Ish-kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar këtë “gjueti shtrigash” dhe lojë të Ramës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!