“Berisha i ka dyert e mbyllura në PD”/ Kulluri: Nuk tërhiqet dot nga “non grata”, s’ka bashkëpunim me të

schedule17:46 - 24 Janar, 2024

schedule 17:46 - 24 Janar, 2024

Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Edvin Kulluri thotë se nuk do të ketë bashkëpunim të kësaj force politike me Sali Berishën.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Kulluri u shpreh se Berisha është një person “non grata” dhe se ai i ka dyert e mbyllura në Partinë Demokratike.

“Nuk ka bashkim të Partisë Demokratike dhe të opozitës me Sali Berishën. Për ne, Berisha nuk është kryetar i opozitës. Sa kohë, shkaku i ndarjes nuk ka rënë, nuk ka bashkim. Zoti Berisha nuk është pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Në momentin që zoti Berisha tërhiqet si kryetar i pretenduar i Partisë Demokratike dhe nga protagonizmi për të qenë kryetar i opozitës, Partia Demokratike është e gatshme të dalë në një front në zgjedhjet e ardhshme. Zoti Berisha nuk e ka derën të hapur, është e mbyllur, si deputet dhe si kryetar i opozitës. Nuk tërhiqet dot nga “non grata”, shkaku i kësaj situatë është “non grata”. Ne nuk jemi tërhequr nga Kuvendi i 18 dhjetorit. Duhet alternativë fituese, jemi të vonuar në rotacionin politik.

Ai model opozitar nuk funksinonte edhe ashtu ndodhi. Zoti Salianji është munduar të japë kontribut pozitiv, por në politikë ka gjëra që diskutohen dhe që nuk diskutohen. Zoti Berisha nuk duhet të luajë një rol drejtues, nuk do të ketë bashkëpunim. Nevoja për një bashkim opozitar, do të krijojë kushtet që pala tjetër të reflektojë për të bashkëpunuar, nëse duan që opozita të vijë në pushtet”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!