Berisha homazhe për Azem Hajdarin: Do jetojë përjetë, Shqipëria ndodhet në gjendjen më kritike

schedule21:32 - 12 Shtator, 2021

schedule 21:32 - 12 Shtator, 2021

Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë homazhe mbrëmjen e sotme në Memorialin e Azem Hajdarit, në 23-vjetorin e vrasjes. Berisha ishte i pranishëm në ceremoninë e organizuar nga shoqata ‘Dhjetor ’90’.

Ish-kryeministri tha se Azem Hajdari do të jetojë përjetë, ndërsa sipas tij Shqipëria ndodhet në gjendjen më kritike të saj dhe po ashtu edhe Partia Demokratike. Berisha u zotua se do të rikthejnë PD-në në piedestal.

“Erdha për tu përulur me nderimin më të thellë para veprës së pavdekshme të tribunit legjendar të revolucionit demokratik të Dhjetorit ’90, udhëheqësit të lëvizjes studentore, prijësit të asaj lëvizje, Azem Hajdarit dhe sivllaut të tij në ideale, në besnikëri, Besim Çerës, të cilët u ekzekutuan këtu 23 vite më parë nga falangat me uniformë të qeverisë së PS.

Azem Hajdari do jetojë përjetë si një simbol i kurajo dhe guximit të jashtëzakonshëm njerëzor. Do frymëzojë të rinjtë shqiptarë në çdo kohë, për të qëndruar në mbrojtje të lirisë dhe vlera të saj. Askush në histori si individ nuk ka bërë për lirinë e shqiptarëve aq sa ka bërë Azem Hajdarit me guximin e tij dhe studentët liberatorë të Dhjetorit ’90.

Por nderimi sot i figurës së Azem Hajdarit merr dhe një domethënie më të madhe se asnjëherë. Shqipëria ndodhet në gjendjen më kritike të saj, në fakt po kështu edhe Partia Demokratike. Ndaj dhe është në nderin, detyrën e demokratëve, demokrateve kudo që janë të ngrihen, të ngrejnë kokën lart. Trashëgimnia e tyre e shkëlqyer do të ju japë nder dhe frymëzim demokratëve në çdo kohë.

Natyrisht një poshtërim i pandëgjuar dhe paparë ndonjëherë në historinë e partisë së lirive, të drejtave ligjore dhe interesit kombëtar siç është PD, ka ndodhur dhe jam i sigurtë se anëtarët, mbështetësit drejtuesit e të gjitha niveleve të PD, do të dinë të hedhin në koshin e plehrave vendimin anti-statutor, antiligjor, antidemokratik të atij që sot është në krye të PD, por që dëshmon se mbi këtë tokë ka vetëm një interes, atë të vetin personal,” tha Berisha në një deklaratë për mediat. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!