Mesditën e sotme kapiteni kuqezi Etrit Berisha ka dalë në konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme ndaj Bjellorusisë në “Air Albania”. Gardiani pësoi një gol naiv në ndeshjen e shkuar ndaj Kazakistanit dhe në konferencë foli në lidhje me këtë.
KAZAKISTANI – “Nuk mendoj se ishim në vështirësi të madhe. Nuk e patëm ndjesinë që Kazakistani mund të shënonte. Duhet të bëjmë më mirë dhe të korrigjojmë gabimet që kemi bërë më herët. Ndeshja që zhvilluam atje ishte pozitive dhe mendoj se na jep mundësi edhe për këtë ndeshje”.
GOLI I ABIKEN – “Një gol që mund të ishte i evitueshëm. Nuk rri të shikoj çfarë kanë shkruajtur dhe çfarë kanë bërë. Vendosja ime ishte më lart se duhet. E di ku ishte gabimi. Kazakistani nuk mund të na rrezikonte ndryshe, ajo ishte e vetmja mundësi”.
VENDI I PARË – “Sfida me Kazakistanin ishte shumë e rëndësishme, ishte një hap i mbarë. Fillimi i mbarë, ishte gjysma e punës. Unë mendoj që kualitetin e kemi, duhet të jemi të qetë.
Kemi kualitet më të madh se ekipet e tjera. Duhet të futemi të qetë për të fituar ndeshjen. Gjithë çunat janë të vetëdijshëm se duhet të japim maksimumin”, u shpreh Berisha. /abcnews.al