Sikundër ishte paralajmëruar në selinë blu mbrëmjen e së mërkurës u depozituan formularët e 4200 delagatëve të Kuvendit Kombëtar që kërkojnë mbajtjen e këtij forumi në 11 Dhjetor. Depozitimi i firmave nuk u bë në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, por ato iu besuan kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka. Sot në “ABC Live” me Juli Xhokaxhi, Arben Ristani tha se nuk ka Kuvend në botë që kontrollohet nga organe të tjera, ndërsa sa i përket firmave të dorëzuara në Këshill Kombëtar ai tha se anëtarët mund t’i shohin por jo ti marrin.
“Lufta për demokraci po zhvillohet edhe brenda PD. E vutë re në insert të Bardhit kishte spikatje të unit, kur nuk e zgjidh unë që s’jam sekretar i përgjithshëm. Spikati uni, kur e gjithë beteja është për demokraci. S’ka kuvend në Shqipëri që kontrollohen nga organe të tjera, por kuvendet vetëkontrollohen. Organi i 2 poshtë kuvendit është këshilli kombëtar. Pikërisht këtu firma janë dhënë në këtë institucion. Nuk ka kuvend në botë që kontrollohet nga organe të tjera. Anëtarët mund t’i shohin firmat e dorëzuara por jo t’i marrin.
Nga ana tjetër kemi një konflikt interesi, kjo histori ka nisur sepse Basha është armik i rregullave statutore, e shkel atë në çdo veprim që kryen. Shkelja e fundit, Bardhi është i vetëshpallur sepse nuk është zgjedhur sipas statutit. Zgjedhja me votë të fshehtë nuk është bërë. Këta s’mund të kenë dhe s’kanë me kushtetutë të partisë asnjë kontroll mbi Kuvendin. Kemi disa deklarime të zotit Gjana që kontrollin e listave i quan me të patronazhistëve të PS dhe ju jep të drejtën kandidatëve që vetëm të shkojnë ti shohin pa i patur në duar. Është praktikë e konsoliduar në parti, listat jaën aty kush të dojë mund të shkojë ti shohë por pa i marrë në dorë”, tha Ristani.
Juristi Çlirim Gjata tha se “kjo që po ndodh është histeri politike”. “E vetmja rrugë për të kaluar këtë krizë është kuvendi. Në kuvend duhet të jetë edhe Basha”, shtoi ai.
Analisti Mentor Kikia ngriti disa pyetje sa i përket ruajtes së sekretit të firmave.
“Pse duhet ti dije Berisha dhe jo Basha se kush janë firmëtarët? Këtu ka një pistë gri. Ose ka të drejtë Bardhi që thotë që s’janë plotësuar firmat, ose Berisha dhe mbështetësit e tij duan që këto lista të mos bien në dorë të Bashës dhe të bëhen objekt i shantazhit pazarit i negociatave. Por nëse në kuvend nuk vijnë këto fletë s’kanë vlerë. Pyetja e ngre pse e kishte kaq shumë merak Berisha ruajtën e sekretit të këtyre formularëve? Të pretendosh qe do të ruash konfidencialitetin e kartës së partisë, nuk qëndron”, tha Kikia. be.k/abcnews.al