Nuk do të kishte dashur kurrë ta kishte provuar atë moment. Gjithsesi, futbolli shpesh është i pamëshirshëm dhe gabimi mund të kthehet fatal, veçse i madh është ai që di të ngrihet sërish në këmbë.
Këtë bëri Berat Gjimshiti, kapiteni i kombëtares shqiptare, pak ditë pas pakujdesisë të rëndë në sfidën Atalanta-Inter, që në fund u humb për faj të tij.
Mbrojtësi veteran kuqezi e realizoi revanshin në mënyrë të plotë me një paraqitje të madhe në sfidën tjetër të Serisë A, Atalanta-Roma.
“Dea” fitoi 1-0 dhe një meritë shumë të madhe pati pikërisht ai.
Dy ndërhyrje vendimtare që shmangën dy gola. Në pjesën e parë ndaj Fergusonit, dhe pas pushimit kundër Dibalës. Në sekondat e fundit thuajse shërbeu asist, por sulmuesi Krstoviç nuk arriti të shënonte. Vlerësimet mediatike ishin të shkëlqyera.
“Eurosport” e veçon tek Atalanta, bashkë me Skalvinin dhe Bernaskonin. I jep notën 7 dhe komentin: Dy mbyllje si profesor, nga një në çdo pjesë, për të na kujtuar se mbetet lideri i heshtur i DEA-s!
“Skaj Sport” e nxjerr si Lojtarin e Ndeshjes, me një notë të shkëlqyer, 7.5, më lart se shënuesi i golit Skalvini!
Edhe “gol.com” e nxjerr më të mirin, me notën 7, por po aq sa Skalvinin: Gjimshiti ndalon në vijën fatale një gol të Fergusonit, pstaj ndalon mrekullisht Dibalën! Hyjnor!
Edhe vetë Seria A e vlerëson si Lojtarin më të Mirë të ndeshjes, dhe shqiptari pozoi më pas me trofeun individual!
Atalanta fitoi falë golit të shënuar nga Skalvini në 12’, duke mundur ish-trajnerin Xhampiero Gasperini, në stolin e Romës.Bergamaskët kanë 25 pikë dhe ndonëse ende larg në vendin e 8-të dhe 8 pikë prapa zonës Champions, ende kanë shpresë se mund t’ia dalin.


