Drejtoresha e Kopshteve dhe Çerdheve në Tiranë, Zhaneta Beqiri ka deklaruar për mediat se mbyllja e çerdhes nr.16 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë ka ardhur me kërkesë të epidemiologëve.
Për pasojë stafi i çerdhes dhe 53 fëmijë do të vetëkarantinohen për 14 ditë. Ajo tha se përgjatë kesaj periudhe stafi ka zbatuar me rigorizitet masat e rekomanduara në protokollin e sigurisë.
“Janë marrë të gjitha masat për higjienën, matja e temperaturës në pritje dhe përcjellje edhe gjatë ditës. Dyshohet për një rast. Kemi dezinfektuar për të tretën herë këtë çerdhe. Kemi larguar atë grup.
Ditën e sotme Inspektorati Shëndetësor ka vendosur pezullimin e shërbimit për 14 ditë dhe i gjithë stafi është pjesë e hetimit epidemiologjik. Stafi do të vetëkarantohet dhe rasti do të ndiqet nga MSH. Sot në çerdhe kanë qenë 53 fëmijë, 16 staf, 1 përgjegjës dhe 5 zonja që kujdesen për higjienën.
Çdo orientoim që vjen për parandalim për Covid-19 zbatohet me rigorizitet. Gjatë gjithë kësaj periudhe janë monitoruar që masat të zbatohen. Pritja dhe përcjellja e fëmijëve është bërë deri te dera dhe prindërit nuk janë lejuar të hyjnë”, u shpreh Zhaneta Beqiri.