Kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut bëjnë udhëtim të përbashkët në Beograd dhe Prishtinë për të bindur palët t’i kthehen tryezës së bisedimeve.
Kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut i kërkuan të hënën Serbisë dhe Kosovës të veprojnë për të ulur tensionet që tentojnë ta shtyjnë Ballkanin drejt destabilizimit, në një kohë kur Evropa përballet me agresionin e Rusisë në Ukrainë, thanë kryeministri hollandez Mark Rutte dhe homologu i tij nga Luksemburgu, Xavier Bettel, të hënën, më 3.07., pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Beograd.
Rutte dhe Bettel udhëtojnë të martën në Kosovë për takime me zyrtarët e lartë të atjeshëm. “Ne nuk mund të theksojmë sa duhet se sa e rëndësishme është që Serbia dhe Kosova ndërmarrin hapa drejt de-përshkallëzimit dhe përfundimisht normalizimit të marrëdhënieve të tyre nëpërmjet dialogut të udhëhequr nga BE,” tha Rutte.
“Kjo është vendimtare për vetë dy vendet, së pari dhe para së gjithash, por edhe për të gjithë rajonin dhe Evropën në tërësi,” shtoi ai. “Me një luftë të tërbuar midis Rusisë dhe Ukrainës në kontinentin tonë, është më e rëndësishme se kurrë që të veprojmë së bashku.”
Presioni ndaj palëve
SHBA dhe BE po i bëjnë presion Serbisë dhe Kosovës që të ndërmarrin hapa për uljen e tensioneve. Normalizimi i marrëdhënieve është kushti kyç për të dy vendet për të ecur përpara në përpjekjet e tyre për t’u bashkuar me BE. Edhe kryeministri i Luksemburgut Bettel u bëri thirrje të dy palëve të veprojnë. “Fjalët janë të mira, veprimet janë më të mira,” tha ai. “Dhe ne duhet të avancojnë në këto tema, edhe për të treguar se ekziston një vullnet për ulje tensionesh”.
Vuçiç shprehu shpresën se vizita e dy kryeministrave në Serbi dhe Kosovë do të ndihmojë: “Unë premtova se Serbia do të bëjë gjithçka që mundet për të ruajtur paqen dhe stabilitetin,” tha ai.
Në fund të javës krerët e shteteve të BE-së e kishin kërcënuar Kosovën dhe Serbinë me masa ndëshkuese nëse ato nuk bëjnë përpjekje për shtensionim. Kancelari gjerman Olaf Scholz, një javë më parë pat thënë sefalë angazhimit të shumë vendeve shpreson se të dyja palët do të bien dakord për marrëdhënie të mira fqinjësore. /DW