Real Madrid do të përballet me Getafen në “Santiago Bernabeu” ditën e nesërme për të zhvilluar mes tyre edhe ndeshjen e javës së 31-të të La Ligas.
Në prag të këtij takimi në konferencën për shtyp ishte i pranishëm trajneri Carlo Ancelotti, i cili tashmë është rikthyer të drejtojë djemtë në kampionat pas infektimit me Covid-19.
“Në fund të sezonit klubi do të vlerësojë punën time dhe do të marrë një vendim. Unë e shijoj këtë mjedis dhe këtë punë çdo ditë”, kështu e nisi deklaratën e tij tekniku i madrilenëve në prag të duelit të nesër, teksa sqaroi edhe të ardhmen e tij në krye të “Los Blancos”.
“Me Getafen është një lojë shumë, shumë e rëndësishme. Duhet ta luajmë mirë dhe ta fitojmë për të marrë tri pikë të tjera. Deri më tani kjo skuadër ka dhënë atë që mund të jepte. Unë nuk e di nëse mund të kishim bërë shumë më mirë, por tani e kemi gatuar tortën, duhet vetëm t’i shtojmë kremin.
Unë po flas për atë që shoh, nuk konstatoj asgjë shqetësuese në nivelin fizik. Ajo që thuhet përreth del nga goja e njerëzve që nuk dinë asgjë për ekipin. Fati im është që jam një person shumë i ekuilibruar. Kam pasur fat në jetë, edhe Covid-19 erdhi në kohën e duhur, ndaj u izolova dhe nuk kisha nevojë të dëgjoja askënd.
Benzema është ende në rritje. Personaliteti i tij është përmirësuar, ndërsa lidershipi i tij ka qenë gjithmonë i mire. Tani spikat më shumë sepse është më vendimtar. Qëndrimi i tij ka ndryshuar, tani është më lider.
Është e vështirë të krahasosh lojtarë nga periudha të ndryshme historike. Por, nëse duhet një emër, do ta krahasoja me Van Basten. Unë mendoj se të dy do ta vlerësonin këtë krahasim, si Marco, ashtu edhe Karim. Benzema, pavarësisht moshës së tij, po ecën gjithnjë e më mirë dhe bashkëlojtarët bazohen tek ai. Edhe në të ardhmen do të jetë një nga lojtarët më të rëndësishëm të këtij klubi, pavarësisht kujtdo që do të luajë me të”, ka deklaruar tekniku italian. /f.a/abcnews.al