Benjamin Rockwell: Pozicionimi i Shqipërisë në listën gri të pastrimit të parave, shenjë turpi për vendin

schedule17:19 - 13 Prill, 2022

schedule 17:19 - 13 Prill, 2022

Drejtori i Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit në Ambasadën Amerikane, Benjamin Rockwell, e ka cilësuar si mjaft shqetësues fenomenin e pastrimit të parave në Shqipëri.

Gjatë një aktiviteti të organizuar nga Ambasada Amerikane, Rockwell, u shpreh se pozicionimi në listën gri i Shqipërisë sa i përket pastrimit të parave është një shenjë turpi për vendin.

Kemi parë goditje të mëdha nga SPAK dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, të cilat po bëhen të përjavshme, por fakti se Shqipëria mbetet në listën gri në luftën kundër pastrimit të parave, është një shenjë turpi për vendin. E cila ngre pikëpyetje kredibiliteti për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shfaq një pozicion parandalues në investimet ndërkombëtare dhe rritjen ekonomike dhe sigurisht, kur ka një impakt kaq të madh në shoqëri, është një problem i madh i shoqërisë”, tha Rockwell.

Zyrtari amerikan tha gjithashtu se duhet bërë mjaft kujdes për amnistinë fiskale, duke iu referuar deklaratave të bëra nga kryeministri Edi Rama, pasi kjo mund të sjellë fushë të hapur për krimin, për të bërë pastrimin e parave.

Gjithashtu Rockwell vlerësoi punën e bërë nga SPAK sa i përket dosjes së inceneratorëve.

Kemi filluar të shohim përmirësime në fushën e pastrimit të parave, sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve. Një akuzë e pastrimit të produkteve të veprës penale ishte pjesë e arrestimeve të SPAK në dosjen e incineratorëve, ndërsa po shohim përdorimin e efektshëm të këtyre akuzave nga prokuroria. Aksionet e fundit janë një nisje e mirë, por ka shumë punë për t’u bërë. Nuk nevojitet shumë ekspertizë për të parë përreth qytetit, në bregdet apo kudo, ku shihet qartë prezenca e pasurive të paligjshme në sistemin shqiptar”, deklaroi zyrtari amerikan në Tiranë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!