Ben Blushi: Nëse Donbasi dhe Luhansku i bashkohen Rusisë, pse Kosova të mos i bashkohet Shqipërisë

schedule11:23 - 13 Prill, 2022

schedule 11:23 - 13 Prill, 2022

Ben Blushi thotë se ngjarjet që po zhvillohen në Ukrainë dhe përpjekja për vendosjen e një rendi të ri ndërkombëtar mund të ndihmojë Kosovën dhe Shqipërinë të bashkohen.

Ai shkruan se Kosova ka vetëm një dalje nga hallet e një vendi shumë të vogël, pa det, me ekonomi modeste, me shumë emigracion dhe me aq shumë presion kufitar nga të gjitha anët – të bashkohet me Shqipërinë.

“Ky do ishte një shpëtim për Kosovën dhe natyrisht edhe për Shqipërinë. Një vend më i madh me 5 milion banorë, me det dhe me një diasporë pothuajse 3 milion, e cila do energjizohej nga bashkimi kombëtar, do ishte një vend i fuqishëm dhe jo vetëm i respektueshëm. Dhe jo vetëm në Ballkan. Nëse Donbasi dhe Luhansku i bashkohen Rusisë, pse jo Kosova të mos i bashkohet Shqipërisë”.

Blushi thotë se Kosova është kthyer në seminar në debatin diplomatik të pas Luftës së Ftohtë sa herë

“Kur Rusia kërkon pavarësi, për Dombasin dhe Luhanskun, dy territore të Ukrainës me shumicë ruse, ajo merr për shembull shkëputjen me dhunë të Kosovës nga Serbia. Putini luftoi në Krime dhe sot në Donbas dhe Luhansk me flamurin e Kosovës, pra duke marrë çlirimin e Kosovës nga Perëndimi, si shembull”.

Ish-deputeti shqitpar thotë se nga ana tjetër, kur Perëndimi kërkon të mbrojë rendin e ngurtë ndërkombëtar në fuqi, sipas të cilit, nuk duhet të ketë më ndryshime kufinjsh, merr për shembull Kosovën.

“Pra, që rendi ndërkombëtar mos vihet në pikëpyetje, Kosova dhe Shqipëria nuk duhet të bashkohen. Këtë thotë Perëndimi dhe Rusia. Dhe ne e pranojmë. Por luftërat bëhen që rendi ndërkombëtar të ndryshojë. Kjo është edhe arsyeja e luftës në Ukrainë. Prandaj arsyet e vjetra kanë rënë. Ose do bien”.

Blushi në një postim në Facebook thotë se sot është koha për t’u rritur, për t’u zmadhuar, për t’u bashkuar dhe se është “koha për t’u bërë europianë”.

Postimi i plotë:

SI MUND TË NDIHMOJË UKRAINA TË BASHKOHEMI ME KOSOVËN DHE ME EUROPËN

Janë dy komplekset kryesore të shqiptarëve.

E para, që jemi të vegjël.

Pra jemi një vend pa peshë, që nuk ka bërë shumë prokopi, s’ka shpikur asgjë, s’ka patur ekonomi të fortë, nuk ka patur ushtri, nuk ka pushtuar dot një vend tjetër, por vetëm është pushtuar dhe prandaj ka humbur territore dhe popullsi, e prandaj nuk ka patur mundësi të vendosë për fatet e veta e jo më për ato të botës.

Ky është kompleksi i territorit.

Kompleksi i dytë, është kompleksi i përkatësisë.

Megjithëse jemi europianë nuk jemi ndjerë pothuajse kurrë të tillë.

Jemi pushtuar nga Lindja, jemi pushtuar nga Perëndimi, por asnjëra palë nuk na ka njohur si europianë të vërtetë.

Kjo është gjeneza e problemeve tona.

Është nëna e të gjitha problemeve.

Ku jemi? A jemi ata që mendojmë se jemi?

A mendojnë të tjerët se ne jemi, ata që nuk jemi?

A jemi ata që besojmë se jemi?

Normalisht një vendi i duhen shekuj për të shpëtuar nga komplekset që ka dhe shekujt në rastin tonë kanë kaluar.

Por po ashtu, një vendi i duhet dhe pak fat, që ne s’e kemi patur.

Megjithëse unë nuk kam shumë besim se mund të shpëtojmë shpejt nga komplekset tona, ndoshta fati po na troket në derë.

Lufta në Ukrainë mund të jetë një shenjë e fatit të kthyeshëm.

Sot Europa ka vetëm një shqetësim.

Si të bashkohet, të mblidhet rreth vetes, të forcojë kufinjtë për t’u mbrojtur nga Rusia. Kjo krijon natyralisht një ndjenjë të fortë uniteti që europianët nuk e kanë shumë natyrale.

Uniteti nuk është një virtyt europian, ndërsa për­çarja është vesi i tyre.

E megjithatë, Europa sot ka nevojë për vende tampon në kufi me Rusinë.

Finlanda, Ukraina, Balltiket, Ballkani në përgjithësi, janë zona tampon.

Kjo nënkupton që edhe nëse luftohet në këto zona, nuk luftohet në Gjermani, në Francë, në Hollandë apo Itali.

Së fundi, Finlandës dhe Suedisë po u kërkohet t’i bashkohen NATO-s.

Ajo që mund të parashikohet lehtësisht është se Europa mund të shpejtojë procesin e zgjerimit në Ballkan.

Me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi.

Nëse ky gjykim kthehet në aksion, Shqipëria ka shanse të kapërcejë në një vit pengesa të cilat ia vuri vetes, apo të tjerët ia vunë asaj në dhjetë vitet e fundit.

Në këtë kontekst, nevoja për një Europë më të madhe mund ta favorizojë Shqipërinë, por më vonë edhe Kosovën.

Ky do ishte një shpërblim i madh për njerëz si unë, të cilët dolën nga komunizmi në moshën e fëmijëve të tyre sot, dhe mund të bëhen formalisht europianë në moshën e prindërve të tyre dje.

Megjithëse jam rritur me besimin, se për ne shqiptarët nuk ka asgjë më të shtrenjtë se Europa, në këto tridhjetë vjet zhgënjime, kam mësuar diçka që më detyron të jem një besimtar i tërhequr.

Mos i beso kurrë Europës. Sa më afër duket, aq më larg është.

Nëse varka për të kaluar në Europë është zhvendosur nga Mesdheu në Ukrainë, në Detin e Zi, në këtë tragjedi ne shqiptarët do gjenim një ngushëllim.

Sa herë rusët zbresin në Europë, ne humbim diçka.

Shpresoj të mos jetë kështu në këtë shekull.

Në shekullin e kaluar, kur rusët zbritën dhe luftuan në Europë, ne u bëmë një vend komunist. Ndoshta fati e do që herën e dytë, kur ata kanë zbritur në Ukrainë, ne mund të bëhemi një shtet europian.

Siç thashë, ndoshta mund të jenë dy avantazhet për Shqipërinë nga lufta në Ukrainë.

E para, mund të anëtarësohemi më shpejt, duke hequr qafe fjalën e shëmtuar integrim që ngjan me ingranim. Sikur shtypesh nga një ingranazh dhe deformohesh.

Ne nuk duam më të integrohemi.

Ne duam të anëtarësohemi.

Me të drejta të plota në Bashkimin Europian.

Nëse ukrainasit janë vrarë edhe për ne, ua kemi borxh.

Ukraina mund ta ketë nxjerrë Shqipërinë nga rivaliteti historik me Serbinë.

Një dekret europian i pashkruar, që ka qenë gjithmonë në fuqi, thoshte se pa u zgjidhur çështja e Kosovës, as Shqipëria as Serbia nuk do mund të hynin në Bashkimin Europian.

Ukraina për herë të parë në histori, mund ta ketë grisur këtë dekret të shkruar nga anglezët, francezët dhe rusët, pas luftërave me njëri- tjetrin.

Duke u rreshtuar me Perëndimin kundër Rusisë, Shqipëria mund të ketë avancuar në garën e vjetër me Serbinë. Ndërsa, kjo e fundit padyshim që ka humbur.

Pyetja që europianët kanë sot është kjo:

A mund t’i jepet e drejta e votës Serbisë, në Bashkimin Europian, në kushtet kur ajo nuk është autonome nga Rusia? Kjo do të thotë që Putin të ketë të drejtën e vetos çdo ditë në vendimmarrjen e Bashkimit Evropian.

Ky tmerr për europianët është një ferr. Edhe në gjumë.

Por në betejën e Ukrainës, Serbia ka humbur jo vetëm në raport me Shqipërinë por edhe me Kosovën.

Ky është avantazhi i dytë në qiellin europian të Ukrainës, ku Kosova mund të jetë një horizont më i afërt për ne.

Kur flas për Kosovën, nuk e kam fjalën që ky shtet, mund të përfitojë diplomatikisht duke zgjeruar listën e njohjeve.

E çfarë i duhet Kosovës nëse e njohu Qipro apo jo? Dhe bashkë me Qipron Greqia apo Spanja?

Fitoret diplomatike sot duken si qershi pa tortë. Pra nuk kanë vlerë, sepse nuk të ngopin.

Kosova ka vetëm një dalje nga hallet e një vendi shumë të vogël, pa det, me ekonomi modeste, me shumë emigracion dhe me aq shumë presion kufitar nga të gjitha anët.

Të bashkohet me Shqipërinë.

Ky do ishte një shpëtim për Kosovën dhe natyrisht edhe për Shqipërinë.

Një vend më i madh me 5 milion banorë, me det dhe me një diasporë pothuajse 3 milion, e cila do energjizohej nga bashkimi kombëtar, do ishte një vend i fuqishëm dhe jo vetëm i respektueshëm.

Dhe jo vetëm në Ballkan.

Nëse Dombasi dhe Luhansku i bashkohen Rusisë, pse jo Kosova të mos i bashkohet Shqipërisë.

Kosova është kthyer në seminar, në debatin diplomatik të pas Luftës së Ftohtë.

Kur Rusia kërkon pavarësi, për Dombasin dhe Luhanskun, dy territore të Ukrainës me shumicë ruse, ajo merr për shembull shkëputjen me dhunë të Kosovës nga Serbia. Putini luftoi në Krime dhe sot në Dombas dhe Luhansk me flamurin e Kosovës, pra duke marrë çlirimin e Kosovës nga Perëndimi, si shembull.

Nga ana tjetër, kur Perëndimi kërkon të mbrojë rendin e ngurtë ndërkombëtar në fuqi, sipas të cilit, nuk duhet të ketë më ndryshime kufinjsh, merr për shembull Kosovën.

Pra, që rendi ndërkombëtar mos vihet në pikëpyetje, Kosova dhe Shqipëria nuk duhet të bashkohen.

Këtë thotë Perëndimi dhe Rusia.

Dhe ne e pranojmë.

Por luftërat bëhen që rendi ndërkombëtar të ndryshojë. Kjo është edhe arsyeja e luftës në Ukrainë.

Prandaj arsyet e vjetra kanë rënë. Ose do bien.

Kush ka sot një arsye bindëse, se pse Shqipëria me Kosovën nuk duhet të bashkohen?

A mund ta pretendojë këtë një gjerman? Jo.

A mund ta thotë këtë një rus? Sigurisht që jo.

Po pse duhet ta thotë një grek apo një italian apo një belg?

Absolutisht jo.

Prandaj ka ardhur koha për t’u bërë një vend më i madh.

Një vend më i fortë dhe më vital, hapësirat dhe pasuritë e të cilit na mjaftojnë për të jetuar këtu dhe për të mos ikur. Madje na mjaftojnë edhe për t’u kthyer nëse kemi ikur.

Asnjëherë në histori, nuk na ka ndodhur që kur të tjerët luftojnë ne fitojmë. Ndoshta është ky rasti.

Ka ardhur koha të pengojmë të tjerët të na pengojnë të zmadhohemi.

Vetëm ne vetë mund ta pengojmë bashkimin dhe mes nesh nuk ka pak që do e bëjnë, kur t’i vijë koha, por kjo frikë nuk mund ta shëmtojë këtë shpresë.

Sot është koha për t’u rritur. Është koha për t’u zmadhuar. Është koha për t’u bashkuar.

Është koha për t’u bërë europianë.

Siç jemi. Siç duhet të jemi. Siç do jemi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!