Sekretari i KOKSH, Stavri Bello ka qenë i ftuar në emisionin “Pressing” në ABC News, aty ku prek shumë tema dhe sqaron betejën me presidentin Bezhani.
AUDITET – “Kemi audit të brendshëm, audit ndërkombëtar, i cili mblidhet pas çdo 4 viteve për të diskutuar për projektet. Akuzat e Bezhanit? Të flasin kur të dalin konkluzionet, tani ka hetim paraprak. Sa larg jemi”.
KONTRATA – “E di është puna? Bezhani thotë që nuk njihet se nuk ka firmosur ai. Është si puna e zotit të topit, është topi im, e gjuaj unë penalltinë. Ajo kontratë firmoset nga presidenti ose sekretari i KOKSH. Unë kam një dokument këtu, që tregon logon e KOKSH. Unë e di që njeriu sheh përpara, Bezhanit do i sugjeroja të marrë një pasqyrë e të shohë edhe mbrapa”.
FINANCIMET – “Kontrata është për Lojërat Olimpike dhe zhvillimin e aktiviteteve olimpike. Kushtet më të rëndësishme të kontratës, është që nuk merret asnjë fond pa paraqitur dokumentet. Ne luftojmë për të gjetur një sponsor, mezi e gjejmë një sponsor dhe ai ndodhet përballë këtyre kushteve. Po të ishe ti, do të kishe investuar me këto kushte? Asnjëherë në botë. Kemi aktualisht ekipin e boksit, që duhet të marrë pjesë në Londër. Me çfarë do të marrë pjesë? Sportistit sot i duhen lekët, për t’u përgatitur, jo pasi të kualifikohet. Bezhani e di shumë mirë rolin e sponsorit. Nuk është e domosdoshme firma e presidentit, mjafton dhe firma e sekretarit të përgjithshëm”.
PËRPLASJA – “Thjesht në një moment, ngeli pa punë dhe erdhi në zyrë dhe tha që këto dy vite do të komandoj unë. Ma jep dorëheqjen e bardhë dhe ta vej unë datën kur të dua unë. Dhe unë po mendoja: Çfarë ka ndodhur?”
PEZULLIMI – “Vendimet i merr Komiteti Ekzekutiv dhe presidenti. Në statut, nuk ndalohet ndërmarrja e një hapi të tillë. Sigurisht, fjalën e fundit për çdo lloj vendimi, e vendos Asambleja. Unë them dhe këtë: Më gjeni një organizatë sportive kaq transparente sa ne, madje i kemi dhe në internet të gjitha dokumentet”.
ASAMBLEJA – “75 mandate në total, 58 ose 59 kanë qenë dakord që të mblidhet Asambleja e Jashtëzakonshme. Sipas ndërkombëtareve, duhej gjetur një zgjidhje, u munduan të gjenin gjuhën e përbashkët. Dua t’i falënderoj. Ne të brendshmit, e kemi të metë, nuk mund të negociojmë. Mbërritëm në këtë pikë që vetëm Asambleja e Jashtëzakonshme mund ta zgjidhë”.
VOTIMI – “Do votohet vendimi i Komiteti Ekzekutiv, për pezullimin e presidentit Bezhani. A qëndron vendimi i Komiteti Ekzekutiv apo jo, do të vendoset pas Asamblesë së Jashtëzakonshme. Pëllumbi ka të drejtë vote te Federata e Volejbollit, është president”.
ASAMBLEJA E PËRGJITHSHME – “Komiteti Ekzekutiv, për merita dhe kontribut të veçantë, propozon që të mos jenë më shumë se 10 për të ruajtur ekuilibrin. Në Asamblenë e Përgjithshme, shumicat duhet të jenë nga Federatat Olimpike. Shumica e votave të Asamblesë, është nga Federatat Olimpike. Këto 8 anëtarë që janë aktivë, kanë meritë”.
LARGIMI – “Sigurisht që e kam menduar. Fjalën pashallëk, e ngatërron me presidentllëk? Kam bërë dhe një mbledhje me presidentin Duka dhe i kam thënë që nuk e kam ndërmend të mendoj. U riktheva sërish”.
FSHF – “Nuk është agresive, do të japë kontribut, por mënyra si do ta japi, tani sigurisht që futbolli është industri e rëndë. Nuk e afrojmë ne, por e zgjedh Asambleja. Nuk e kemi injoruar, nuk është e vërtetë. Pse nuk mendon se mund të jetë Federata e Futbollit ajo që nuk është afruar? Ka lloje të ndryshme kontributesh. Në momentin që Federata Botërore miraton njohjen, i duhet një letë nga Komiteti Olimpik. Ndryshe, Federata Botërore nuk e pranon”.
MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT – “Duke parë nga larg, do thoja që duke dashur të mos ndërhyjnë, kanë qëndruar indiferentë. Por nuk është ky koncepti që kam unë personalisht. Nëse sportit do t’i japësh katering, do të rrijë në këtë nivel. Nëse i jep ushqim të gatuar nga specialistët (paratë), do të rritet më shumë.
Propozimet që sjellin Federatat, janë të domosdoshme, ka kërkesa që qëndrojnë, ka nga ato që nuk qëndrojnë. Çdo Federatë kërkon të imponojë kulturën e vet. Komiteti Olimpik ka blerë dhe sistemin LiveStream për t’i ardhur në ndihmë Federatave dhe sporteve të ndryshme”.
AKUZAT PËR KARTËN – “Ne kemi blerë pajiset e fundit të teknologjisë për transmetim, më të fundit, 4K. I kemi blerë në Europë. Për t’i blerë këto, kemi përgatitur një projekt. Ia çuam projektin Komitetit Olimpik Europian, e miratuan, na sollën lekët. E shihni këtë firmë? Është e Bezhanit, dhe thotë nuk di gjë. Të gjitha dokumentet janë si kjo, ua tregoj me radhë. Rrogat e stafit të Komiteti Ekzekutiv, u rritën me 10%, që për mua është shumë profesionale. E shihni kush e ka firmosur? Të gjitha këto, i kemi në internet, çdo kush mund t’i shohë”.
RREZIQET – “Nuk dihet çfarë do të ndodh, mund të kem ndonjë pozicion tjetër. Kujt t’i jap stop? Të dielën, do isha dakord që përgjegjësit, nëse nuk i vret ndërgjegjja, duhet dikush tjetër të marrë masa. Rrezikohen dhe Lojërat Olimpike, madje janë rrezikuar. Boksierët kanë një shans për t’u kualifikuar, por nuk kanë para të marrin pjesë. Përgjegjësinë për zhvillimin e sportit, e ka shteti. Në Asamble, do të zbardhet dhe data e zgjedhjeve të ardhshme. Mesazhi është i thjeshtë, mos gënje shumë. Ky është buxheti i Komiteti Olimpik, ai thotë 650 mijë dollarë. Se ku i nxjerr këto shifra, nuk e di. Buxheti varion nga Lojërat Olimpike, ka lojëra olimpike, shtohet buxheti. 100 mijë dollar nga Komiteti Olimpik Europian. Patjetër që kemi përgjegjësi për gjithë këtë situatë”. /abcnews.al