Prej një viti Belgjika është pa një qeveri të vërtetë. Ekziston vetëm një qeveri tranzicioni, e drejtuar që nga 28 tetori nga Sofi Uilmes, 44 vjeç, e para grua kryeministre në historinë 189 vjeçare belge.
Një rekord, por duket se askush në Belgjikë e ka vënë re se mungon qeveria, një shenjë e mirë ndoshta? Çdo gjë nisi në 18 dhjetor 2018 kur koalicioni i katër partive i kryeministrit të atëhershëm Sharls Mishel – aktualisht president i Këshillit Europian u rrëzua për shkak të braktisjes së koalicionit qeverisës nga ana e nacionalistëve flamingë, në shenjë proteste kundër “Marrëveshjes për Emigrantët” të Kombeve të Bashkuara. Pas rënies së qeverisë, as zgjedhjet politike të muajit maj nuk arritën të nxjerrin vendin nga ngërçi politik. Që atëherë një aleancë e qendrës së djathtë pa mazhorancë parlamentare ka drejtuar vendin dhe aktivitetet e përditshme.
Aktualisht qeveria ad interim drejtohet, nga Uilmes, së cilës iu dha detyra nga mbreti Filip. Falë impulsit të saj rifilluan negociatat për krijimin sa më të shpejtë të një qeverie me mandate të plotë.
Mungesa e një ekzekutivi nuk duket të ketë pasur një impact negativ, të paktën për momentin në ekonominë e Belgjikës e cila mbështetet tek konsumi I familjeve.
Qytetarët belgë nga ana e tyre mendojnë se politika belge në të vërtetë është e kotë, një fasadë. Kjo pasi dhe pse nuk ka një qeveri, cdo gjë funksionon mirë gjithësesi. Sipas analistëve, pjesa më e madhe e belgëve janë shumë kritikë ndaj politikanëve të tyre. Dejv Sinardet, professor i shkencave politike në universitetin e Brukselit shprehet se klasa politike në vend nuk arriti të krijonte një qeveri. Kjo jep përshtypjen se të gjitha partitë politike kryesisht janë të përfshira në një logjikë strategjike dhe partizane se sa të mendojnë për interesin e përgjithshëm dhe të krijojnë një qeveri
Për Belgjikën nuk është një risi, vonesa në krijimin e qeverive. Në vitin 2011 u shënua dhe rekordi prej 541 ditësh pa qeveri. Tashmë pritet të shihet nëse do të ketë një rekord të ri./abcnews.al