“Bëje 250, ose 300”, Vokshi sqaron videon e publikuar nga numërimi: Doli jashtë kontekstit

schedule10:04 - 7 Maj, 2022

schedule 10:04 - 7 Maj, 2022

Si shumë transparent dhe që nuk ka ndodhur ndonjëherë në Partinë Demokratike, e quajti Albana Vokshi procesin e votimit të zgjedhjes së kryetarit të Këshillit Kombëtar, ditën e djeshme.

Në një konferencë për shtyp, Vokshi, njëherësh anëtare e Komisionit të Rithemelimit theksoi se procesi i votimit dhe numërimit ishte i gjithë para kamerave.

“Çdo votë është numëruar në mënyrë transparente. Për ne vota është e shenjtë dhe nuk do ta lëmë që ta cënojë askush. Vullneti ynë për transparencë dhe për ta bërë procesin publik para kamerave është tregues i mirë për ecjen para të PD.

I gjithë procesi ka qenë live. Numëruesit  kanë numëruar edhe me zë. Ka pasur kamera që kanë filmuar çdo fletë votimi. Është bërë numërimi i fletëve të ndara, për Elenën dhe Edin. Kaq transparente ka qenë. Çdo gjë live.”, tha ajo.

Ndër të tjera, Vokshi foli edhe për një video që ka qarkulluar në rrjetet sociale. Në një një bisedë mes anëtarëve të Komisionit, saktësisht në momentin kur po kryhet plotësimi i procesverbalit, duket se kishte paqartësi në lidhje me numrin e anëtarëve të cilët kanë marrë pjesë në procesin e votimit. Megjithatë, Vokshi sqaroi se bëhej fjalë për numrin e fletëve të prodhuara dhe jo për votuesit.

“Ka qenë dashakeqësi një video e dalë jashtë kontekstit. Unë gjej rastin ta shpjegoj në respekt të publikut shqiptar. Në videon e shpërndarë mbrëmë është rreth fletëve totale të votimit që janë në vënë në dispozicion të dy tavolinave. Është një numër total i parëndësishëm. Nuk ishin në dijeni për numrin total të prodhuar. Diskutimi po bëhej për këto fletë. Kjo nuk e cenon procesin që mbetet transparent. PD është e vendosur në vullnetin e saj për transparencë të plotë”, sqaroi ajo. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!