Presidenti Bajram Begaj, priti sot në një takim Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Republikës së Bullgarisë, Rosen Zhelyazkov.
Marrëdhëniet politike mes dy vendeve, procesi i integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, intensifikimi i raporteve ekonomike, rritja e shkëmbimeve tregtare, si dhe ngritja e infrastrukturës në ndihmë të këtij procesi, ishin në fokus të këtij takimi.
Presidenti Begaj falënderoi Bullgarinë për mbështetjen e Shqipërisë për integrimin në BE, për nismat e përbashkëta multilaterale, për kontributin me trupa ushtarake në KFOR, si dhe theksoi rëndësinë e rritjes së marrëdhënieve ekonomike në nivelin e atyre politike.
Presidenti Begaj dhe kryeparlamentari Zhelyazkov e trajtuan çështjen e fundit duke u ndalur në mundësitë zhvillimore që do të sjellë në këtë pikë infrastruktura tokësore dhe ajrore. “Përshpejtimi i ndërtimit të korridorit të tetë, si edhe nisja e fluturimeve në fund të këtij viti të linjës direkte ajrore Tiranë-Sofje, do të risin, pa dyshim, shkëmbimet tregtare dhe turizmin në të dyja vendet”, – vlerësoi Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
“Ne, – u shpreh Presidenti Begaj, – e konsiderojmë të një rëndësie strategjike Korridorin 8 dhe po punojmë shumë fort që të përmbyllet sa më shpejt. Rruga është zhvillim, dhe ky korridor do të sjellë zhvillimin për të gjithë rajonin tonë”.
Presidenti Begaj theksoi se situata aktuale në rajon kërkon mirëkuptim, bashkëpunim dhe tejkalim të politikave të së shkuarës mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin e plotë Eruro-Atlantik të tij.
Presidenti solli në vëmendje se “shqiptarët janë një popull që kanë luftuar për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe e dinë që çmimi i lirisë është i pamatë, ndaj shqiptarët në rajon kanë qenë dhe janë paqedashës dhe faktor stabiliteti.”
Në lidhje me respektimin e të drejtave të minoriteteve përkatëse, Kreu i Shtetit siguroi se të drejtat e minoritetit bullgar në Shqipëri janë të garantuara dhe se në censusin e kryer është siguruar vullneti i lirë i vetëdeklarimit nëpërmjet një procesi të drejtë e transparent.