Presidenti i Repubikës Bajram Begaj, shprehu ngushëllime për vdekjen e Presidentit James Earl Carter Jr. i cili shërbeu si President në Shtetet e Bashkuara nga viti 1977 deri në vitin 1981.
Presidenti Begaj nënshkroi në Librin e Ngushëllimit të hapur në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë.
Presidenti i Republikës vlerësoi Presidentin Carter si një lider që gjatë gjithë jetës punoi për lirinë, drejtësinë dhe paqen mes njerëzve dhe i mësoi botës rëndësinë e kësaj kauze dhe respektin ndaj këtyre parimeve.
“Në kujtim të James Earl Carter Jr. Presidentit të 39-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, liderit që i qëndroi besnik parimeve demokratike.
Ai do të kujtohet në historinë e politikës ndërkombëtare, si kampion në shërbim të njerëzve, Nobelist i Paqes, që ndër dekada punoi për zgjidhje paqësore, për të çuar përpara demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
Njerëzimi mësoi prej tij se si të jetë i paqtë dhe të mos e pranojë luftën as si “të keqe të domosdoshme”, por të luftojë për një shoqëri të lirë e të drejtë”, shkroi Presidenti Begaj, në Librin e Ngushëllimeve për Presidentin Carter, të hapur në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë.