Begaj në Tivat/ Kreu i Shtetit bën bashkë përfaqësuesit politikë shqiptarë në Malin e Zi

schedule08:47 - 8 Tetor, 2024

schedule 08:47 - 8 Tetor, 2024

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, bën bashkë në Tivat të Malit të Zi përfaqësuesit e të gjithë spektrit politik dhe u bën thirrje që, pavarësisht ngjyrave partiake, të jenë të bashkuar për mbrojtjen e interesit shqiptar.

Kreu i Shtetit shfrytëzoi vizitën në Malin e Zi, ku ndodhet për Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, për të diskutuar me përfaqësuesit shqiptarë atje problematikat e tyre dhe të faktorit shqiptar në tërësi.

Ashtu si vitin e shkuar në Manastir të Maqedonisë së Veriut, gjatë ditës së Alfabetit,  ku bashkoi përfaqësuesit shqiptarë të kahëve të ndryshëm politikë, edhe në Tivat, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në takimin e përbashkët me shqiptarët e Malit të Zi, theksoi rëndësinë e forcimit të lidhjes mes shqiptarëve në të gjitha trevat.

“Për çështje madhore kombëtare, – theksoi Presidenti Begaj, – ne si shqiptarë duhet të jemi bashkë pavarësisht ideologjive politike e partiake që na bëjnë të konkurrojmë me njëri -tjetrin, konkurrencë e cila është mirë të jetë e shëndetshme. Ne duhet të jemi bashkë për çështjet që kanë të bëjnë më orientimin Euroatlantik të shqiptarëve. Kjo është një ëndërr dhe aspiratë e shqiptarëve, për të cilën nuk negociohet”, – theksoi Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj.

“Ne ndër vedi nuk mund të vendosim gardhe”, – u shpreh Kreu i Shtetit, i cili mbështeti nismat e ndërmarra për heqjen e barrierave në kufijtë e rajonit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!