Në një interviste për “Newsline” me gazetaren Viol Xhafaj, ambasadorja e Izraelit në Tiranë, Galit Peleg tha se që në momentin që nisi sulmi i Hamas, presidenti Begaj, kryeministri Rama dhe ministri i Jashtëm, Igli Hasani ishin të parë që dënuan sulmin dhe treguan përkrahje për Izraelin.
“Dua ta them që nga momenti që erdhën lajmet e para, sulmi u dënua menjëherë nga presidenti juaj, nga kryeministri dhe ministri i jashtëm. Ata e dënuan sulmin publikisht dhe thanë që janë krah Izraelit.
Vazhdoj të marr mesazhe të shumta nga anëtarët e qeverisë, nga parlamenti, nga partia Socialiste dhe ajo Demokratike.
Kam marrë shumë mbështetje edhe nga njerëzit, me jep forcë t’i shkoj ditës deri në fund” tha Peleg.
Në lidhje me mundësinë që luftimeve të Izraelit t’i bashkohen edhe shqiptarë, ambasadorja tha se nuk frenojmë askënd për të marrë pjesë në luftë, por nuk i garantohet përgjegjësi për jetën,
“Ne e quajmë ushtria e njerëzve, Izraeli ka mjaftueshëm ushtarë, por nuk do të frenojë qytetarë të vendeve të tjera të luftojnë për ne, as nuk do të marrim përsipër përgjegjësinë e jetëve të tyre në luftë. Situata nuk është si t’i bashkohesh luftës në Ukrainë” shtoi ambasadorja.
Peleg u shpreh po ashtu se Izraeli nuk do të ndalojë luftën deri sa të shkatërrojë infrastrukturën e grupit terrorist.
“Ata shpallën luftë. Ne jemi gati për luftë. Ne kemi një ushtri të fortë, të sofistikuar dhe të zgjeruar, ne nuk do të ndalojmë derisa të shkatërrojmë infrastrukturën e këtij grupi terrorist.
Dua të them diçka të rëndësishme, ne nuk po shënjestrojmë civilët në Gaza” theksoi ajo.
Në fund ajo tha se sulmi i parë ishte në territorin e Izraelit, tani do jenë në Gaza dhe Izraeli do të marrë në kontroll situatën e do të jetë ai që do të thotë fjalën e fundit.
“Nuk po luftojmë me popullin palastinez. Ne jemi në lufte më një organizatë terroriste dhe kjo organizatë duhet të kuptojë që edhe po deshën të na shkatërrojnë, nuk do të munden, do të jetë e kundërta.
Sulmi i parë ishte në tokën izraelite, tani do të jetë në Gaza, e ne do e kemi në kontroll dhe do të themi ne se kur do të mbarojë” përfundoi ajo.r.t/abcnews.al