Përçarja në dhomën e zhveshjes së Manchester United mes sulmuesit anglez Jadon Sancho dhe trajnerit Erik ten Hag dihet prej një kohe të gjatë tashmë. Që pas debatit të tyre, Sancho u la jashtë skuadrës nga trajneri holandez, dhe gjithçka u zgjidh në merkaton e janarit ku sulmuesi anglez u huazua te Dortmund, klubi gjerman për të cilin luantë më parë.
Ten Hag i është rikthyer kësaj çështjeje dhe për “Sky Sport”, ka dhënë një deklaratë për të.
“Sancho do të duhet të kërkojë falje që të mund të kthehet te Manchester United dhe këtë e kam thënë tashmë disa herë. Megjithatë, nuk dua t’i kthehem kësaj teme çdo herë. Jadon e di se çfarë duhet të bëjë, ne e kemi bërë të qartë në atë kohë.
Mund të thuhet se koha e tij këtu nuk ka qenë e suksesshme. Nuk është çështje disipline, por një sjellje që një profesionist si ai nuk duhet ta bëjë. Shpresoj të japë maksimumin e tij te Dortmund, pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Ten Hag./h.ll/abcnews.al