Akuza vijnë nga Ricardo Kaka në lidhje me trajtimin që populli brazilian i bën skuadrës apo lojtarëve të Brazilit.
Legjenda e Milanit ka folur për “BeINsport” ku ka kritikuar trajtimin që skuadra braziliane dhe Neymar po marrin në vendin e tij gjatë Kupës së Botës në funksion të çerekfinales ndaj Kroacisë, si dhe mënyrën se si trajtohen idhujt e padiskutueshëm si Ronaldo Nazario, “Fenomeni” i cili kapi majat me ekipin e Interit.
“Është e çuditshme ta thuash, por shumë brazilianë nuk e mbështesin Brazilin. Ndonjëherë kjo gjë ndodh. Nëse shohin Ronaldon duke ecur në rrugët e Katarit këto kohë, do të thonë se ai ka diçka ndryshe. Por, nëse ata e shohin në Brazil, për ta është thjesht një burrë i trashë, i shëndoshë duke ecur në rrugë.
Këto ditë shumë njerëz në Brazil po flasin për Neymar, por në një mënyrë negative. Ndoshta për shkak të pozicioneve të tij politike, por ndonjëherë brazilianët nuk i njohin talentet tona”.
Kur u pyet nëse Ronaldo nuk vlerësohet nga brazilianët siç vlerësohet në pjesën tjetër të botës, Kaka u përgjigj: “Sigurisht që shumë brazilianë e duan Ronaldon, unë e dua “fenomenin”, por mënyra se si ata e respektojnë atë në Brazil dhe jashtë është ndryshe, siç e shoh unë me më shumë respekt jashtë vendit sesa atje.”
Kaka dhe Ronaldo ishin pjesë e ekipit brazilian që fitoi Kupën e Botës 2002, Botërori i fundit i fituar nga Brazili./ h.ll/abcnews.al