Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e ka refuzuar ftesën për takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Hamza i është përgjigjur përmes një letre Kurtit, ku i ka thënë se qëndrimi i PDK-së mbetet i njëjtë – se partia e tij qëndron në opozitë.
Hamza ka shkruar se për shkak të dallimeve programore dhe konceptuale, PDK-ja “do ta ushtrojë përgjegjësinë e saj në opozitë, brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Ndërkohë që i ka kërkuar që sot, 7 gusht, LVV-ja të ndërmarrë hapat e nevojshëm për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit.
“Nga ju kërkojmë që sot, në përputhje me afatin e përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, të ndërmerrni hapat e nevojshëm për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit dhe t’i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja”, ka shkruar Hamza.


