BE planifikon vendosjen e sanksione të reja ndaj Turqisë

schedule13:00 - 11 Dhjetor, 2020

schedule 13:00 - 11 Dhjetor, 2020

Liderët e Bashkimit Evropian në samitin e fundit të zhvilluar këtë të premte kanë vendosur që të  krijojnë një listë me sanksione, në kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Turqisë, që ka kryer eksplorime për gaz në ujërat e Greqisë dhe Qipros.

Turqia është angazhuar në veprime të njëanshme dhe provokime dhe ka përshkallëzuar retorikën e saj ndaj BE-së, shteteve anëtare të BE-së dhe liderëve evropianë. Veprimet e njëanshme dhe provokimet në Mesdheun Lindor ende po vazhdojnë, përfshirë edhe në zonën ekonomike të Qipros”, thuhet në deklaratën e publikuar pas debatit të liderëve të BE-së.

Një diplomat tha për agjencinë AFP se sanksionet do të kenë në shënjestër individë dhe se blloku evropian do të ndërmarrë edhe masa të tjera, “nëse Turqia vazhdon me veprimet e saja”.

Ministria e Jashtme turke ka thënë se kjo listë e re e sanksioneve nga BE-ja është “e njëanshme” dhe “e paligjshme”.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka mirëpritur vendimin e BE-së mbi Turqinë, duke thënë se do të kishte zhgënjim në Greqi dhe Qipro, nëse liderët evropianë nuk do të pajtoheshin për një embargo të armëve apo për sanksionim të sektorëve të ekonomisë turke.

Ndërkaq, kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se shpreson se mesazhi i dërguar nga BE-ja “do të pranohet në mënyrën e duhur”.

Konkluzionet, që janë publikuar nga Këshilli Evropian, tha se lista do të përpilohet për sanksionet ndaj Turqisë. Liderët e kanë mandatuar shefin për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell që të përgatisë një raport me më shumë masa ndaj Turqisë, i cili duhet të dorëzohet marsin e ardhshëm.

Para këtij samiti, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se Turqia nuk shqetësohet për sanksionet që do të ndërmerren nga BE-ja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!