Bashkimi Evropian paralajmëroi se është i gatshëm të godasë me sanksione Aleksandër Lukashenkon, udhëheqësin autokratik të Bjellorusisë si përgjigje ndaj zgjedhjeve të konsideruara “mashtrim” presidencial dhe shtypjes “së dhunshme” që iu është bërë protestuesve që kërkojnë dorëheqjen e tij.
Gjatë takimit në Luksemburg, ministrat e Jashtëm të BE-së përsëritën se zgjedhjet e gushtit në Bjellorusi “nuk kanë qenë as të lira, as të drejta” dhe se Lukashenko “nuk ka asnjë legjitimitet demokratik”.
Gjithashtu ministrat theksuan në një deklaratë “të drejtën demokratike të popullit bjellorus për të zgjedhur presidentin e tij, përmes zgjedhjeve të reja, të lira dhe të ndershme, pa ndërhyrje të jashtme”, ku edhe dënuan fuqishëm “shtypjen e vazhdueshme të protestave dhe kërkuan lirimin e “të gjithë personave të ndaluar në mënyrë arbitrare”.
Ditë më parë, BE-ja ka rënë dakord që t’ju ndalojë vizat dhe t’ju ngrijë pasurinë mbi 40 zyrtarëve bjellorusë për rolin e tyre të pretenduar në shtypjen e protestuesve dhe të opozitës, si dhe për mashtrime gjatë zgjedhjeve.
Lukashenko nuk është përfshirë në listën e sanksioneve, por ministrat e Jashtëm të BE-së theksuan gatishmërinë e bllokut për të marrë “masa të mëtejshme kufizuese kundër njësive dhe zyrtarëve të rangut të lartë, përfshirë Lukashenkon, nëse situata nuk përmirësohet”.
Lukashenko pretendon se i ka fituar zgjedhjet e 9 gushtit, gjë e cila ka shkaktuar për javë të tëra protesta në rrugë.
Sakaq më 11 tetor, mijëra njerëz morën pjesë në tubime në Minsk dhe nëpër Bjellorusi, duke kërkuar dorëheqjen e Lukashenkos.
Sipas Ministrisë së Brendshme bjelloruse, 713 persona u arrestuan nga forcat e sigurisë gjatë protestave dhe 570 prej tyre mbeten në paraburgim./REL/