BE nis procedurat disiplinore ndaj Italisë

schedule22:46 - 29 Nëntor, 2018

schedule 22:46 - 29 Nëntor, 2018

Vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë rënë dakord për të bërë gati masat ndëshkuese ndaj Italisë, në rast se qeveria e këtij vendi nuk do të pranojë kushtet për buxhetin e vitit të ardhshëm. Masat mund të përkthehen në sanksione dhe mbikqyrje financiare për vendin që dikur ishte ekonomia e tretë e BE-së.

Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Europian mbështetën të enjten një lëvizje kundër Italisë në lidhje me çështjen e borxhit të saj, edhe pse më herët nga Roma kishin ardhur sinjale kompromisi. Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi një opinion që thotë se ndërmarrja e një mase disiplinore ndaj Italisë është më se e justifikuar.

Lëvizja i lejon krahut ekzekutiv të BE-së të rekomandojë nisjen e zbatimit të masës ndëshkuese ndaj Italisë për shkak të buxhetit të saj ekspansionist për vitin 2019, që nuk redukton borxhin e lartë të vendit, siç kërkohet nga Brukseli. Vendimi vjen një ditë pasi ministri italian i Ekonomisë, Xhovani Tria deklaroi se qeveria po kërkon mënyra të reja për të mbajtur nën kontroll shpenzimet publike, ndërsa mbështet rritjen ekonomike.

Pavarësisht rekomandimit, qeverive të vendeve anëtare u duhet ende një tjetër vendim për të nisur zbatimin e procedurës, që mund të çojë në sanksione financiare dhe në mbajtjen e Italisë nën mbikëqyrje për një periudhë të gjatë. Ndërkohë, lidhur me situatën në Itali reagoi të enjten edhe shefi i Bankës Qendrore Franceze, Fransua Vilero de Galo, i cili tha se rritja e shpenzimeve publike që kërkon Roma zyrtare nuk do të përkthehet automatikisht në një rritje të ekonomisë, pa harruar faktin se borxhi nuk mund të rritet në pafundësi.

“Nëse deficiti dhe borxhi publik do të ishin çelësi i rritjes ekonomike, atëherë Franca dhe Italia do të ishin të parat në Europë. Fatkeqësisht, nuk është kështu”, deklaroi Galo, njëkohësisht zyrtar i Bankës Qendrore Europiane./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!