BE: Nëse nuk ka ndryshim të politikës së ndjekur nga Turqia, anëtarësimi është i largët

schedule14:37 - 18 Korrik, 2023

schedule 14:37 - 18 Korrik, 2023

Parlamenti Europian i dërgoi sot një mesazh Ankarasë se rruga drejt Bashkimit Europian nuk mund të rifillojë në kushtet aktuale dhe se duhet të hulumtohen mënyra të reja bashkëpunimi.

Në thelb, eurodeputetët vlerësojnë interesin e fundit të qeverisë turke për “rigjallërimin” e procesit të saj të pranimit, por e kanë paralajmëruar se kjo nuk do të ndodhë në kontekstin e “pazareve gjeopolitike” .

Në draft  theksohet se ” nëse nuk ka ndryshim drastik nga qeveria turke, procesi i anëtarësimit të Turqisë në BE nuk mund të rifillojë në kushtet aktuale”. Vlen të theksohet se ata i bëjnë thirrje qeverisë turke, BE-së dhe vendeve anëtare që t’i japin fund ngërçit aktual dhe të ecin drejt një partneriteti më të ngushtë.

Drafti rekomandon një proces reflektimi, për të gjetur një kornizë paralele dhe më realiste në marrëdhëniet BE-Turqi. Eurodeputetët i kërkojnë gjithashtu Komisionit që të hetojë forma të ndryshme të mundshme bashkëpunimi për një kornizë reciproke.

Për sa i përket çështjes së Qipros, raporti thekson nevojën e rifillimit të bisedimeve mbi bazën e federatës bizonale, bikomunale, ndërsa dënon gjithçka që shkon përtej këtij kuadri të zgjidhjes.

Me këtë raport eurodeputetët konfirmojnë se “Turqia mbetet një kandidate për anëtarësim, një aleate në NATO dhe një partner i rëndësishëm në çështjet e sigurisë, por edhe të tregtisë, marrëdhënieve ekonomike dhe emigracionit”, ndërsa theksojnë se “ata presin që Turqia të respektojë parimet demokratike,  shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe të përafrohet me ligjet, parimet dhe detyrimet europiane”.

Është interesante se raporti i paraqitur për herë të parë në komitetin përkatës qershorin e kaluar është rishikuar për t’i kërkuar tani Turqisë të ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO pa vonesë të mëtejshme.

Raporti pritet të votohet në seancën plenare të Parlamentit Europian më 11 shtator.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!