Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord që të zgjerojnë sanksionet ndaj Bjellorusisë duke përfshirë këtu edhe bizneset në përgjigje të “brutalitetit të autoriteteve” kundër protestave pro-demokratike që filluan pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale që u mbajtën në muajin gusht.
Duke parë se sanksionet e mëparshme ndaj Alyaksandr Lukashenka dhe dhjetëra zyrtarëve të lartë nuk arritën të ndalojnë shtypjen, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha më 19 nëntor se grupi i ri i sanksioneve “duhet të përfshijë jo vetëm individët por duhet të vlejnë edhe për institucionet, për sipërmarrësit por edhe për bizneset”.
Masat e reja “do të afektojnë aktivitetin normal ekonomik” në vend, tha Borrell.
Ai nuk dha më shumë hollësi mbi sanksionet për kompanitë dhe biznesmenët që mbështesnin regjimin e Lukashenkës.
Lukashenka, i cili ka qeverisur Bjellorusinë për 26 vjet është përballur pothuajse çdo ditë me protesta që kërkojnë dorëheqjen e tij që nga zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit, të cilat opozita thotë se ishin manipuluar dhe shtetet perëndimore kanë refuzuar t’i pranojnë.
Disa protestues janë vrarë dhe mijëra njerëz janë arrestuar që kur autoritetet shpallën Lukashenkën fitues të zgjedhjeve.
Ka pasur gjithashtu raportime të besueshme për ushtrim të torturës nga regjimi që synonte shtypjen e protestave.
Shumica e udhëheqësve të opozitës së vendit janë arrestuar ose detyruar të largohen nga vendi.
Më 15 nëntor, policia në Minsk përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë dhjetëra mijëra protestues dhe arrestoi qindra njerëz.
Lukashenka sulmoi protestuesit më 13 nëntor, duke u zotuar të mos ia dorëzonte pushtetin askujt vetëm disa ditë pas vdekjes së një 31-vjeçari Bjellorus, i cili besohet të jetë rrahur keq nga forcat e maskuara të sigurisë.
BE-ja tashmë ka vendosur masa për pezullim të vizave dhe ngrirjen e pasurive të Lukashenkës dhe 53 zyrtarëve të tjerë për rolin e tyre në shtypjen e protestës dhe “falsifikimin” e votës.
Shtetet e Bashkuara, Kanada, Britani dhe vende të tjera perëndimore kanë vendosur gjithashtu sanksione ndaj zyrtarëve Bjellorusë.
Ministrat e jashtëm të BE-së, përmes një takimi virtual vlerësuan se “nuk ka asnjë shenjë pozitive” nga Minski, tha Borrell në një konferencë shtypi.
Si rezultat, ministrat vendosën “të vazhdojnë me përgatitjen e raundit tjetër të sanksioneve si një përgjigje ndaj brutalitetit të autoriteteve dhe në mbështetje të të drejtave demokratike të popullit bjellorus,” tha Borell.
Borrell tha se do të varet nga vendet anëtare të BE-së që të vendosin objektivat e tyre në raport më këtë çështje.
Takimi tjetër i ministrave të jashtëm të BE-së do të zhvillohet më 7 dhjetor.
Drejtuesja e opozitës bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya, që u largua nga Bjellorusia duke shkuar në Lituani për shkak të shqetësimeve të sigurisë për të dhe familjen e saj, u kërkoi udhëheqësve të BE në fillim të kësaj jave që të vendosnin “sanksione financiare kundër njerëzve të cilët janë në xhepat e Lukashenkës”.
Tsikhanouskaya po ashtu i bëri thirrje Federatës Ndërkombëtare të Hokejit në Akull – (IIHF) “të jetë e vendosur” derisa ata konsiderojnë tërheqjen e Kampionatit Botëror, 2021, nga Bjellorusia.
“IIHF” me bazë në Cyrih ka thënë se po zhvillon “diskutime serioze” mbi statusin e turneut për shkak të çështjeve që lidhen me protestat mbi zgjedhjet, kërcënimin e Letonisë për t’u tërhequr si bashkë-mikpritës dhe pandeminë e koronavirusit.
Duke pasur parasysh çështjet në fjalë, “IIHF” tha më 18 nëntor se i duhet më shumë kohë për të rishikuar situatën dhe për të marrë një vendim pasi turneu sipas tyre duhet të luhet diku.REL