BE mbështet rezolutën e OKB-së për Palestinën

schedule12:18 - 11 Maj, 2024

schedule 12:18 - 11 Maj, 2024

Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila u miratua dje dhe që i jep Palestinës “të drejta dhe privilegje” të reja, është mirëpritur nga Bashkimi Europian, ndërsa ripërsërit angazhimin e bllokut për një zgjidhje me dy shtete.

“Bashkimi Europian njeh rezultatin e votimit historik në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në lidhje me kandidaturën palestineze për anëtarësim në Kombet e Bashkuara, ku shumica e shteteve votuan pro”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell.

Duke komentuar rezultatin e votimit ku 143 vende votuan pro, 9 kundër dhe 25 abstenuan, zyrtari europian thekson se “Palestina mori mbështetje të qartë për të forcuar statusin e vëzhguesit me të drejta dhe privilegje shtesë”.

Në mes të krizës së vazhdueshme në Lindjen e Mesme, njoftimi i BE-së rikujton gjithashtu “angazhimin e saj të gjatë për një zgjidhje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse të konfliktit izraelito-palestinez, bazuar në zgjidhjen me dy shtete, me Shtetin e Izraelit dhe një shtet i pavarur, demokratik, i afërt, sovran dhe i qëndrueshëm i Palestinës, që jeton krah për krah në paqe dhe siguri dhe njohje reciproke, dhe me Jeruzalemin që do të shërbejë si kryeqyteti i ardhshëm i të dy shteteve”.

“BE do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm ndërtimin e shtetit palestinez si dhe forcimin e institucioneve palestineze dhe kapacitetin e tyre në kuadër të përgatitjes së një shteti të ardhshëm”, thekson kreu i diplomacisë europiane në emër të 27 vendeve anëtare të unionit.

BE gjithashtu tha se do të jetë e gatshme për të punuar së bashku me Izraelin, Autoritetin Palestinez si dhe aktorët rajonalë dhe ndërkombëtarë drejt këtij qëllimi.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!