BE, masa ndëshkuese ndaj shtetasve dhe enteve bjelloruse

schedule15:34 - 21 Qershor, 2021

schedule 15:34 - 21 Qershor, 2021

Bashkimi Evropian do të vendosë të hënën ndalim udhëtimesh dhe masa për ngrirjen e pasurive ndaj 86 shtetasve dhe kompanive bjelloruse, por do t’ua lërë në dorë udhëheqësve të grupit të vendosin se kur do të miratohen sanksione ekonomike, tha shefi i bllokut për politikën e jashtme, Josep Borrell.

Në përpjekje për të shtuar presionin ndaj Presidentit Aleksander Lukashenko lidhur me devijimin me forcë të avionit të firmës Ryanair, i cili u detyrua të zbriste në Minsk më 23 maj, 76 shtetas bjellorusë do të ndëshkohen me sanksione individuale përfshirë ministrat e transportit dhe mbrojtjes. Masa të ngjashme merren edhe ndaj tetë enteve shtetërore, thanë diplomatët.

“Sot do të miratojmë një paketë me sanksione të reja, një numër masash më të zgjeruara,” tha zoti Borrell për gazetarët para se të fillonte takimi i ministrave të jashtëm të BE-së në Luksenburg.

Diplomatët thonë se masat mund të bashkërendohen me ndëshkime të ngjashme nga vende të tjera perëndimore si Britania dhe Shtetet e Bashkuara, megjithëse nuk ofruan hollësi.

Të premten, vendet anëtare të BE-së arritën një marrëveshje paraprake për sanksione ekonomike ndaj naftës, mineraleve të papërpunuara dhe sektorit bankar të Bjellorusisë me synimin për të ndëshkuar Presidentin Lukashenko për zbritjen e detyruar të avionit që u bë për të arrestuar gazetarin Roman Protaseviç, një kritik i njohur i regjimit bjellorus.

Zoti Borrell tha se sanksionet ekonomike nuk do të miratohen nga ministrat e jashtëm. “Ato do t’i paraqiten Këshillit Evropian në takimin e tij të ardhshëm,” tha kryediplomati i BE-së, duke iu referuar takimit të Këshillit të enjten në Bruksel./voa