Në një deklaratë, Ursula von der Leyen ka kërcënuar se do të bllokojë eksportet e vaksinës AstraZeneca nëse nuk shpejton shpërndarjen e sasisë së premtuar të vaksinave.
Masa vjen ndërsa Komisioni Europian ka rritur presionin mbi kompanitë farmaceutike për të përshpejtuar dërgimin e vaksinave ndërsa rastet e koronavirusit vazhdojnë të rriten në shumë vende.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha: “Ne kemi mundësinë të ndalojmë eksportet e planifikuara.
“Të gjitha opsionet janë në tryezë”, shtoi ish-ministrja gjermane e Mbrojtjes në një paralajmërim të qartë, duke theksuar se udhëheqësit europianë do të bënin një vlerësim të çështjes së dërgesave javën e ardhshme.
Komisioni Europian njoftoi të enjten se do të aktivizonte një procedurë kontraktuale për të zgjidhur konfliktin me laboratorin AstraZeneca, dorëzimet e të cilit të vaksinave anti-Covid janë dukshëm më të ulëta se shifrat e planifikuara fillimisht.
Kjo procedurë parashikohet në kontratat e furnizimit me vaksina të lidhura nga BE.
AstraZeneca duhet të dorëzojë në tremujorin e dytë 70 milionë doza të vaksinës – përdorimi i së cilës është ende i pezulluar nga disa vende – shumë më pak se 180 milionë premtuar në kontratën e nënshkruar me BE.
Në tremujorin e parë, BE pritet të ketë marrë gjithsej rreth 30 milionë doza të AstraZeneca, përkundër 90 milionë që pritet nga grupi farmaceutik suedezo-britanik.
Vaksina e AstraZeneca është një nga tre të miratuarat për përdorim në BE.
Megjithatë, përdorimi i saj është lënë në hije nga disa probleme, duke përfshirë një shpërndarje të ngadaltë, dhe pezullimin e përkohshëm këtë javë në shumë vende anëtare të BE-së pas raporteve të mpiksjes së gjakut në disa pacientë të vaksinuar.Shumica e vendeve në BE kanë rifilluar vaksinimin me AstraZeneca.
Vaksina e Oxford / AstraZeneca, e cila është më e lirë dhe më e lehtë për tu ruajtur se të tjerat, shihet si kritike për t’i dhënë fund pandemisë së koronavirusit./abcnews.al